Sport

Januzaj refuzon Sevilla-n dhe Valencia-n, pritet ‘ok’ i United për rinovimin me Sociedad-in


Lojtari me orgjinë shqiptare, Adnan Januzaj është shumë pranë rinovimit me Real Sociedad-in në La Liga-n spanjolle. Anësori 26-vjeçar ka refuzuar dy ofera nga klubet spanjolle, raporton “Mundo Deportivo”.

Për ish-lojtarin e Manchester United kishin shfaqur interes Sevilla dhe Valencia. Skuadra të refuzuara tashmë nga Januzaj.

Kontrata aktuale e 26-vjeçarit me Sociedad-in përfundon më 30 qershor të këtij viti. Në një video-telefonatë të mbajtur këtë javë ndërmjet bordit të klubit dhe agjentit të lojtarit, Mino Raiola-s, palët janë dakordësuar për zgjatjen e kontratës.

Problemi i vetëm në këtë mes mbetet Manchester United. Ish-skuadra nga e cila doli si lojtar Januzaj ka ende 30% të kartonit të tij.

Kur Sociedad-i e nënshkroi në 2017 nga United, pagoi 7 milionë euro, ndërsa “Djajt e Kuq” mbajtën 30% të kartonit në rast shitje. Ndaj për çdo operacion, shitje apo rinovim, duhet dhe miratimi i klubit anglez.

Klubi spanjoll është duke diskutuar detajet e fundit para miratimit të United. Klauzola e lirimit për Januzajn do të shkojë nga 60 në 70 milionë euro.

Anësori ka hequr dorë nga pretendimet ekonomike, për të pasur pagën e njëjtë sa, Mikel Oyarzabal-i, Mikel Merino, David Silva dhe Alexander Isak-u. Kontrata e re pritet të jetë tre-vjeçare.

Januzaj që nga 2017, numëron 153 paraqitje me Sociedad-in. 22 gola dhe 23 asiste mbajnë emrin e tij. Në sezonin 2019/20 ai arriti të fitonte Kupën e Mbretit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore