Lajme

Jansha e Golob ballafaqohen me deklarata: Berishaj e Kurti përdoren si argumente


Ballina e revistes sllovene

Martin Berishaj dhe Albin Kurti janë bërë prapë pjesë e diskutimeve në Slloveni pasi disa media kanë raportuar se Zyra për Parandalimin të Pastrimit të Parave ka hetuar disa persona, përfshirë edhe udhëheqës mediash, me direktiva politike.

Siç raporton mediumi ballkanik N1 një mesazh i shkurtër “i ka mjaftuar drejtorit të Zyrës për Parandalimin e Pastrimit të Parave gjatë qeverisjes së tretë të Janez Janshs, Damjan Zhugelj, për të nisur një nga hetimet më të gjera për llogaritë bankare në historinë e kësaj zyre. Në më pak se tre javë, ai kishte dërguar 238 kërkesa në banka për qasje në 195 llogari transaksionesh të 107 personave dhe kompanive”.

Kryeministri slloven, Robert Golob, e ka komentuar gjithashtu informacionin.

Qeveria sllovene ka shpërndarë një cicërim në Twitter si deklarim i Golob për rastin.

“Përgjigja e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, për të zbulimet e fundit rreth akuzave për abuzime në Zyrën për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave: Nëse zbulimet e mediave janë të vërteta, atëherë është një nga abuzimet më të mëdha të institucioneve për qëllime të partive politike në histori të vendit me qëllim të infleuncimit të zgjedhjeve”, ka thënë Golob.

Por, këtij deklarimi të tij, ish-kryeministri slloven i është kundërpërgjigjur me vetëm një fjalë dhe një fotografi.

 

Ai ka shpërndarë ballinën e mediumit Demokracia në Slloveni ku bashkë me Golobin në foto janë edhe Martin Berishaj e Albin Kurti dhe revista titullohet “Dosja Geni, Afera Golob”.

“Prandaj”, ka shkruar Janasha, duke aluduar se sulmet tash nga Golob po vijnë pikërisht për shkak të kësaj afere që e implikon kryeministrin aktual slloven në shpëlarje të mundshme parash.

Ndryshe, rreth skandalit financiar ku i përfshirë është Martin Berishaj, ambasador i Kosovës në Kroaci, Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, kishte deklaruar se sa i përket përfshirjes së emrit të tij “e gjitha është një trillim” dhe si lajm është sponzorizuar nga kundërshtarët e tij politik.

Por, Golob, gjithashtu kishte thënë se më vonë u zbulua se Berishaj në fakt nuk është i afërt me të, por me kundërshtarin e tij Janez Jansha.

“Në gjysmë të rrugës morëm vesh se ky zoti Berishaj, i cili meqë ra fjala është ambasador në Zagreb, është mik personal i Janez Jansha, dhe në momentin që çështja u zhduk nga Sllovenia tani u ringjall, me sa duket në Kosovë”.

Ndërsa, ish-kryeministri slloven, Janez Jansha, kishte reaguar edhe pas arrestimit të drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Ai e kishte cilësuar aksionin e Policisë së Kosovës dhe arrestimin e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, si rezultat i zbulimeve të bëra në rastin e skandalit financiar/energjetik në Slloveni, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe Martin Berishaj.

“E fundit: Arrestimet dhe bastisjet e shtëpive në industrinë elektrike të Kosovës, me sa duket rezultat i gjetjeve të hetimit të rastit Berishaj – GENi – presidenti [Robert] Golob”, ka shkruar shkurtimisht Jansha, duke e etiketuar Qeverinë e Sllovenisë.

Berishaj aktualisht po akuzohet nga Prokuroria Themelore e Kosovës për deklarim të rrejshëm të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për shpëlarje parash derisa vazhdon të mbetet ambasador shteti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore