Lajme

Janjiç për AP: “Dërgimi i serbëve të Kosovës në tubimin e Vuçiç-it, përpjekje për t’ia rikthyer fuqinë Listës Serbe”


Dushan Janjiç

“Për ne është diçka e pritshme, nuk është diçka e jashtëzakonshme, është një reagim i ngjashëm sikur në kohën e Sllobodan Millosheviç-it (atëherë kur i rrezikohej pushteti) në vitin 1998-1999”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post, Kryetari i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjiç, kur ka komentuar pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në “kundër-tubimin” e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, pushteti i të cilit, ditëve të fundit është përballuar me protesta masive në Serbi.

“Është një lloj tradite që serbët e Kosovës të marrin pjesë në manifestime të partisë në pushtet, veçanërisht ajo parti që e ka monopolin mbi serbët e Kosovës”, tha Janjiç, ngase sipas tij, tashmë “është një parim i zakonshëm”.

Në mediat serbe, sidomos ato afër pushtetit, është raportuar më së shumti për një grup të serbëve të cilët janë nisur në këmbë për në Beograd për t’ia dëshmuar kështu mbështetjen presidentit serb.

Mirëpo, për Janjiç-in ky pasqyrim i mediave është “një lloj propagande”.

“Unë jam i mendimit që mesazhi është ‘ne nuk do të ju harrojmë kurrë juve’, ‘Vuçiç nuk dorëzohet kurrë duke i mbrojtur serbët e Kosovës’”, tha ai.

Por, ai nuk mendon se kjo që po paraqitet është situata reale, pasi që thotë se ka edhe serbë që janë duke shkuar në këtë vikend në Beograd, por “të cilët janë opozitë e Listës Serbe”.

“Shumë prej tyre janë duke ardhur në protestën e opozitës”, pohon.

Përpjekjet për t’i dërguar serbët në tubimin e Vuçiç-it, kryetari i forumit për marrëdhënie ndëretnike në Serbi, beson që po bëhen me një qëllim të caktuar.

“Në këtë çështje, ne kemi disa përpjekje në mënyrë që të rikuperohet influenca e Listës Serbe, sepse autoriteti i tyre i është shkatërruar në muajt e fundit”.

“Sigurisht ata po thonë që nuk janë njerëz partiakë, se protesta nuk është organizuar vetëm nga Vuçiç-i”.

Për ecjen në këmbë të të disa të rinjve serbë nga Kosova deri në Beograd, për të marrë pjesë kështu në tubimin e thirrur nga presidenti serb, ai vuri në pah se kjo është “një traditë politike”, dhe e gjithë kjo shërben për një funksion të caktuar.

“Njerëzit që po shkojnë nga qyteti në qytet po e bëjnë që të motivojnë njerëz të tjerë”, deklaron Janjiç. “Për Vuçiç-in është shumë e rëndësishme që të dëshmojë që serbët e Kosovës – jo vetëm Lisa Serbe – e mbështesin atë për të ardhmen”.

Ndërsa, për Rada Trajkoviç-in – këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “po e pranon dhe e promovon (Milan) Radoiçiç-in si përfaqësues të denjë të serbëve nga Kosova”.

Këto komente ajo i ka bërë pasi që nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiç, – i sanksionuari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – doli së bashku me djalin e presidentit serb për t’i takuar, dhe kinse për t’i mbështetur serbët që ishin nisur në këmbë nga Kosova për në Beograd.

“Si përkufizohet mirësjellja e Radoiçiç-it në atë që lëshoi ​​qeveria amerikane, se ai i përket një karteli transnacional, se dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç-it. Kjo në thelb do të thotë se zoti president Vuçiç, duke promovuar një njeri të tillë, në thelb i dërgon përgjigje Amerikës dhe qeverisë së tyre se Serbia është një shtëpi e sigurt për njerëz të tillë”, ka deklaruar Trajkoviç për median opoziatare serbe “Danas”.

Çfarë po ndodh në Serbi?

Këtë javë në Serbi do të organizohen dy tubime, njëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe tjetra nga opozita serbe, pra kundër Vuçiç-it.

Opozita në Serbi, pas organizimit të tri protestave masive në Beograd, ka njoftuar se do të mbahet edhe protesta e radhës të shtunën e 27 majit.

Slogani i kësaj proteste do të jetë i njëjtë si i atyre paraprake: “Serbia kundër dhunës”.

Arsyeja e organizimit të këtyre protestave është si pasojë e zhgënjimit me reagimin e autoriteteve serbe, pas dy ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur në Beograd, ku brenda dy dite në muajin maj, mbetën të vrarë 18 persona.

Për protestën e 27 majit – e cila do të mbahet një ditë pas “anti mitingut” që ka thirrur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç – njoftoi shefi i grupit parlamentar të Partisë Popullore serbe, Miroslav Aleksiç, në emër të të gjithë organizatorëve të protestës.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për qytetarët që u mblodhën në protestën e të premtes, që sipas tij treguan se “vullneti i tyre për të jetuar, dashuria dhe arsyeja është më i fortë se dhuna”.

“Fatkeqësisht, fëmijët që nuk do të zgjohen më, e zgjuan Serbinë. Çdo tubim i ‘Serbisë pa dhunë’ ishte madhështor, jo vetëm për shkak të numrit të njerëzve, që është më i madhi në dekadat e fundit, por për shkak të atyre që dolën në rrugë”, tha Aleksiç, transmeton media opozitare serbe “Nova”.

Aleksiç theksoi se “dhuna po shkatërron vendin tonë dhe gjithë jetën tonë”, dhe shtoi se “viktimat janë fëmijë, të rinj, të moshuar, gra, votues të opozitës, por edhe votues të pushtetit”.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili kurrë nuk arriti të bëhej president i të gjithë qytetarëve, na ndau si komb për më shumë se një dekadë. Na lidhte vetëm një frikë e përbashkët për të ardhmen, dëshira për t’u tërhequr nga njëri-tjetri, për të kthyer kokën nga ana tjetër dhe nxitja për t’iu përgjigjur mosmarrëveshjes me forcë”, potencoi ai.

Për t’iu shmangur konfrontimeve dhe ndonjë incidenti të mundshëm, Aleksiç nënvizoi se nuk është caktuar data e njëjtë me atë që e ka thirrur presidenti serb.

“Dhuna shkakton dhunë, asgjë nuk arrihet dhe për këtë do të mblidhemi herën tjetër të shtunën, sepse kryetari i partisë Vuçiç ka caktuar mbledhjen e Partisë Progresiste Serbe për të premten më 26 maj”, vuri në pah ai.

“Tubimi ynë ‘Serbia kundër dhunës’ nuk do të mbahet në të njëjtën ditë. Prandaj ju ftoj që të këmbëngulni dhe të shtunën më 27 maj të vazhdojmë me qetësi luftën tonë për një vend ku çdo fëmijë dhe çdo qytetar do të jetë i sigurt”, deklaroi ai.

Për protestat e opozitës serbe kanë folur presidenti serb, si dhe kryeministrja, Ana Brnabiç, duke i kundërshtuar fuqishëm protestat, madje ata kanë kontestuar edhe qëllimin e tyre.

“Unë u them qytetarëve të Serbisë që të mos besojnë në gënjeshtra, dezinformata dhe përpjekje për të krijuar kaos në Serbi nga shërbimet e huaja. Kjo është e gjitha që po ndodh drejtpërdrejt nga shërbimet e huaja, gjithçka që po ndodh është destabilizimi i drejtpërdrejtë i Serbisë”, pretendoi Brnabiç.

Njëjtë sikur Brnabiç mendon edhe Vuçiç, se në organizimin e këtyre protestave “kanë gisht shërbimet e huaja”.

Ndërsa, Vuçiç përveç se i ka kontestuar protestat e opozitës, ai ka thirrur një tubim për 27 maj, që nga shumë kush në Serbi po konsiderohet si “anti-miting”.

Madje, për këtë ai ka mobilizuar edhe serbët që jetojnë në Kosovë.

Të mërkurën në mëngjes, një grup serbësh nga Veriu i Kosovës, ishin nisur në këmbë për në Beograd për të marrë pjesë në një takim të organizuar nga Partia Progresive Serbe.

Një grup prej 23 të rinjsh u nisën nga Leposaviqi dhe 11 nga Mitrovica e Veriut. Ata deklaronin se udhëtimin e kanë nisur me iniciativë të tyre me qëllim që t’i japin mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Grupi në fjalë kishin veshur bluza kur shkruhet “Për Serbinë, për Vuçiç-in, serbët nga Kosova”, duke mbajtur pankarta dhe flamuj të Serbisë.

Të rinjtë serbë ishin të vendosur të ecin 500 kilometra në nëntë ditë duke treguar se kjo nuk është asgjë në krahasim me “vendosmërinë e tyre për të treguar unitet dhe harmoni në këto kohë të vështira për Serbinë”.

Ndryshe nga pushteti serb, në protestën e tretë me radhë që u mbajt të premten, aktivistët e opozitës serbe, pesë orë pas fillimit të protestës filluan ngritjen e tendave në autostradë, duke e kaluar natën atje, si shenjë e demostrimit të revoltës së tyre ndaj pushtetit në Beograd.

Kjo erdhi pas thirrjes së përfaqësuesit të Partisë Demokratike Serbe, Srdan Milivojeviç, që qytetarët e mbledhur në protestë të qëndrojnë aty derisa të plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, disa nga demonstruesit kanë ngritur tendat në autostradë, dhe kanë kaluar natën atje.

Protestuesit serbë në protestën e të premtes bërtisnin: “Vuçiç, dorëhiqu”, dhe “Vuçiç, largohu”.

Po ashtu në një pankartë tjetër që po e mbanin protestuesit shkruante “Erë pranvere serbe”.

Në mesin e kërkesave tjera ka qenë dorëheqja e drejtorit të Policisë serbe, Bratislav Gashiç dhe e drejtorit të Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), Aleksandër Vulin.

Ata janë duke kërkuar edhe zëvendësimin e trupit rregullativ për mediat elektronike, mbylljen e tabloideve që, sipas tyre, bëjnë thirrje për dhunë, dhe për tërheqjen e frekuencave për televizionet “Pink” dhe “Happy”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore