Lajme

Janjiç: “Nëse Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje është kolaps i Vuçiç’it”


Nëse Lista Serbe do të merrte pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në Veri të Kosovës me 23 prill, kjo sipas kryetarit të Forumit për Marrëdhënie Etnike në Serbi, Dushan Janjiç, do të ishte “një kolaps i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në planin e brendshëm dhe një fitore për opozitën serbe” e cila është kundër marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Bruksel me 27 shkurt dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut me 18 mars.

Kjo sepse sipas tij “nuk ka pasur marrëveshje për këtë dhe zgjedhjet janë caktuar me vendim të Qeverisë së Kosovës, pra në mënyrë të njëanshme. Kishte dy gjëra në paketën e menaxhimit të konfliktit. Jo vetëm heqja e barrikadave, por edhe kthimi i LS në institucionet e Kosovës”, tha Janjiç në një intervistë për median opozitare serbe Danas.

Tutje, Janjiç beson se për të kaluar nga kaluar nga menaxhimi i konfliktit në normalizim është dashur të zgjidhet çështja e vakumit institucional, duke iu referuar dorëheqjeve të serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Lista Serbe dhe Beogradi po kërkonin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe u gjetën, thënë në gjuhën sportive, në një boshllëk. Ata kërkonin të pamundurën. Janë bërë disa gjëra për Asociacionin, por mund të thuhet se LS është mashtruar”, deklaron Janjiç.

Ndërsa, ai mendon se përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë janë në mbështetje të lëvizjeve konsekuente të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e më këtë janë duke e bërë “situatën më të vështirë”, dhe se “mospjesëmarrja e Listës Serbe në zgjedhje nuk e shkelë marrëveshjen e Ohrit”.

“Teza e tyre nuk është e saktë sepse sipas Marrëveshjes së Ohrit, statuti i Asociacionit duhet të miratohet brenda 30 ditëve. Marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm kur të verifikohet se çfarë është bërë me vendim politik, por jo me lëvizjen e administratës, në mënyrë që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e kapitullit 35. Nuk kanë filluar ato 30 ditë të hartimit të statutit, akoma”, tha ai.

Gjithashtu, ai thekson se situata e sigurisë është shumë e rëndë dhe se skena politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi është e brishtë, si dhe shtoi se “rusët ende nuk e kanë dhënë fjalën e tyre” për këtë çështje.

“Mund të parashikoj me përgjegjësi se nëse nuk respektohen këto elemente, mund të priten barrikada në veri. Ndoshta duan që zgjedhjet të mos bëhen dhe për këtë e akuzojnë Serbinë, por kjo nuk ka të bëjë fare me Marrëveshjen për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve”, beson ai.

Ndryshe, me 24 mars ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohura ndryshe si QUINT-i, kanë lëshuar një deklaratë për media, ku janë rreshtuar pro mbajtjes së zgjedhjeve me 23 prill, derisa kanë shprehur keqardhje për mos-pjesëmarrjen e Listës Serbe.

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk ka përdorur të drejtën e vetë demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave.

“Zgjedhjet janë themeli i demokracisë”, shkruajnë ata, prandaj “të siguruarit se ato mbahen në mënyrë të rregullt dhe paqësore është esenciale”.

Pritjet e QUINT-it janë që “autoritet relevante do të veprojnë me profesionalizëm”.

Gjithashtu, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve “që të përmbahen dhe të shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet”.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore