Shqipëria

Janar 2022/ Rritje të eksporteve dhe importeve në Shqipëri


Eksportet e mallrave në Shqipëri, përgjatë janarit 2022, kanë arritur vlerën e 35 miliardë lekëve, duke u rritur me 47,5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithashtu kanë pësuar një rritje me 9,7 për qind, në krahasim me dhjetorin e vitit 2021.

Kurse importet e mallrave kanë arritur vlerën 55 miliardë lekë, duke u rritur me 21,1 për qind, në krahasim me një vit më parë. Gjithashtu janë ulur me 37,4 për qind, në krahasim me dhjetorin e vitit 2021.

Referuar raportit të fundit të INSTAT-it, deficiti tregtar i këtij muaji është 20 miliardë lekë, duke u ulur me 7,7 për qind, krahasuar me muajin janar të vitit 2021 dhe me 64,2 për qind, në krahasim me dhjetorin e vitit 2021.

Ndryshimi vjetor në Tregtinë e mallrave(%)
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve

Gjatë muajit janar të vitit 2022, në rritjen e eksporteve prej 35,0 për qind, pozitivisht ka ndikuar grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +24,4 pikë përqindje.

Grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me +9,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +3,2 pikë përqindje.

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve

Përgjatë të njëjtit muaj, në rritjen e importeve prej 21,1 për qind, krahasuar me janarin 2021, ka ndikuar pozitivisht grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,8 pikë përqindje.

Gjithashtu grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +5,0 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +4,3 pikë përqindje.

Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,4 pikë përqindje.

Tregtia e jashtme e mallrave sipas disa vendeve të BE-së, Janar2022
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin janar 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve janë Italia (38,0 %), Gjermania (3,4 herë) dhe Kosova (103,8 %).

Kurse vendet, me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë Spanja (67,3 %), SHBA-të (5,7 %) dhe Turqia (35,2 %).

Këtë janar, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve janë Italia (21,5 %), Turqia (59,3 %) dhe Greqia (4,2 %).

Ndërsa vendet, me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Kina (6,8 %), Zvicra (54,7 %) Rusia (23,0 %) dhe Kosova (3,5 %) .

INSTAT zbulon se shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,9 për qind të gjithë tregtisë.

Në janar të vitit 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,7 për qind të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 53,1 për qind të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (33,3 %), Turqia (8,2 %), Gjermania (7,8 %) dhe Greqia (6,5 %).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore