Lajme

Izraeli sulmon Rripin e Gaza-s pas përplasjeve kufitare


Protestuesit fshihen pranë gomave të ndezura pranë gardhit të Rripit të Gaza-s në kufi me Izraelin gjatë një proteste në lindje të Khan Younis, në Rripin e Gaza-s jugore, të mërkurën, 25 gusht 2021. Qindra palestinezë të mërkurën demonstruan pranë kufirit izraelit në jug, duke i bërë thirrje Izraelit të lehtësojë një bllokadë gjymtuese ditë pasi një tubim i ngjashëm përfundoi në përplasje vdekjeprurëse me ushtrinë izraelite.

Izraeli që prej mesnatës së ditës së shtunë deri në orët e para të mëngjesit të 29 gushtit ka kryer sulme të shumta ajrore mbi objektivat e Hamas-it në Gaza.

Kjo goditje ka ardhur pas protestave në gardhin kufitar dhe lëshimit të balonave ndezëse nga Rripi i Gaza-s, të cilat u bënë shkaktare për zjarret në jug të Izraelit.

Më herët të shtunën, të paktën 11 palestinezë u plagosën në përleshjet me trupat izraelite në protesta në kufirin e Gaza-s.

Dëshmitarët okularë në kufi thanë se ushtria izraelite po përdorte zjarr, gaz lotsjellës dhe dronë.

“Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer një sulm në një vend trajnimi të Hamas-it, i cili përdoret si për stërvitje ashtu edhe për prodhimin e armëve”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë. “Për më tepër, një bosht tuneli pranë Jabalya-s u sulmua”.

Para se të hipte në një fluturim kthyes për në Izrael të dielën në mëngjes – pas një udhëtimi në Uashington për t’u takuar me Presidentin amerikan Joe Biden dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë – kryeministri Naftali Bennett për ngjarjen e së shtunës në Gaza, tha se, “ne do veprojmë në Gaza sipas interesave tona. Adresa në Gaza ishte dhe mbetet Hamas-i”.

Ndërkohë njësia e Hamas-it, deklaroi të shtunën pasdite se ata do të rinovonin aktivitetet, në shenjë proteste ndaj vonesës së Izraelit në lehtësimin e bllokadës në Rrip.

Në një deklaratë nga autoritetet palestineze në Gaza, thuhej se, “bllokada e ka kthyer jetën në Rripin e Gaza-s në një jetë si në ferr. Prandaj, kërkesa jonë nga ndërmjetësit është që të heqim plotësisht bllokadën”.

“Përfaqësuesit e fraksioneve palestineze, përfshirë Hamas-in dhe Xhihadin Islamik, njoftuan se aktivitetet e tij kundër Izraelit do të rriten në ditët në vijim – duke përfshirë lëshimin e balonave të ngarkuar me eksploziv. Njoftimi shtoi se çdo dëmtim i protestuesve palestinezë, “do të sillte një përgjigje të përshtatshme nga forcat e rezistencës dhe krahët e tyre ushtarakë”.

Të enjten, qeveria izraelite tha se do të lehtësonte kufizimet tregtare në Rripin e Gaza-s dhe do të zgjeronte hyrjen e mallrave në enklavën palestineze pas ditëve të tensioneve të rritura.

Njoftimi erdhi pasi qindra palestinezë demonstruan të mërkurën pranë kufirit izraelit, duke i bërë thirrje Izraelit të lehtësojë një bllokadë gjymtuese ditë pasi një tubim i ngjashëm përfundoi në përplasje vdekjeprurëse me ushtrinë izraelite.

Mbi 200 palestinezë u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite gjatë protestave javore.

Konflikti izraelito-palestinez

Konflikti izraelito-palestinez i ka rrënjët dekada më parë dhe luftimet e 14 majit 2021 tregojnë se çdo zgjidhje afatgjatë mund të jetë akoma larg.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe, në fakt, e aneksoi atë më vonë.

Rrjedhimisht autoritetet nuk e konsiderojnë Lindjen si territor të pushtuar, por të gjithë qytetin si kryeqytetin e tij – një pretendim i panjohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare.

Izraeli më 14 maj filloi bombardimin intensiv të Rripit të Gazës me sulme ajrore dhe predha artilerie, ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve.

Kjo përplasje ka rezultuar në bombardimet më të rënda të Gazës që nga lufta 50-ditore midis Izraelit dhe Hamass-it në vitin 2014.

Të paktën 219 njerëz, përfshirë gati 100 gra dhe fëmijë, u vranë në Gaza. Autoritetet e Hamass-it nuk kanë dhënë shifra të viktimave për luftëtarët. Ndërsa në Izrael, 12 persona, përfshirë dy fëmijë, mbeten të vdekur.

Tensionet më të shumta midis Izraelit dhe palestinezëve janë në Jerusalemin Lindor, Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Përplasjet e fundit pasuan një muaj të tensioneve në rritje në Jerusalem, megjithëse konflikti ka qenë i pranishëm për dekada.

Cilat janë problemet kryesore?

Ka një numër çështjesh, për të cilat Izraeli dhe palestinezët, nuk mund të bien dakord.

Këto përfshijnë atë që duhet të ndodhë me refugjatët palestinezë, nëse vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor të okupuar duhet të qëndrojnë ose të hiqen.

Gjithashtu, nëse të dyja palët duhet të ndajnë Jerusalemin dhe ndoshta më e ndërlikuara nga të gjitha, nëse një shtet palestinez duhet të krijohet së bashku me Izraelin.

Bisedimet e paqes po zhvillohen brenda dhe jashtë për më shumë se 25 vjet, por deri më tani nuk e kanë zgjidhur konfliktin.

Çfarë pret e ardhmja?

Me pak fjalë, situata nuk do të zgjidhet së shpejti.

Plani më i fundit i paqes, i përgatitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur Donald Trump ishte president, i quajtur “marrëveshja e shekullit” nga ish-kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është hedhur poshtë nga palestinezët si i njëanshëm.

Çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të ketë nevojë që të dy palët të bien dakord për zgjidhjen e çështjeve komplekse.

Derisa të ndodhë kjo, konflikti do të vazhdojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore