Lajme

Izraeli nuk pranon nisjen e hetimeve për krime lufte nga ICC


Izraeli nuk do të bashkëpunojnë me Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC), për të hetuar krimet e luftës në territoret e okupuara.

Në një letër drejtuar gjykatës, Izraeli thotë se ICC-ja “nuk ka autoritet” për të kryer hetimin.

Çështja kërcënon të dëmtojë më tej marrëdhëniet e tensionuara midis dy palëve.

Muajin e kaluar, autoritetet izraelite anuluan pasaportën VIP të ministrit të Jashtëm palestinez, në kthimin e tij në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli.

Roli i Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Me seli në Hagë, ICC-ja u krijua në 2002-in, për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për krimet më të rënda – gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe luftës.

Ajo ka fuqinë të veprojë kur një shtet nuk është “i aftë ose nuk dëshiron vërtet” ta bëjë këtë vetë.

ICC-ja ka për detyrë të shqyrtojë, nëse ka arsye të mjaftueshme për të hapur një hetim, kur një anëtar i ri bashkohet, siç bënë palestinezët në janar të 2015-ës.

Statusi i Palestinës ( i cili nuk është shtet) ka bërë që vendimi të jetë i diskutueshëm, dhe të merrte kohë që gjyqtarët të “konfirmonin” nëse gjykata, me seli në Hagë, do të kishte autoritetin mbi çështjen.

Palestina përdori statusin si vëzhguese në Organizatën e Kombeve te Bashkuara (OKB), për tu bashkuar me ICC-në dhe për të bërë thirrje për hetim ndaj veprimeve izraelite.

Hetimi është i kufizuar në territoret e okupuara të cilat, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk janë nën sovranitetin e Izraelit, i cili është fuqia okupuese aty.

Hetimi në Izrael kërkonte lejen nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, pasi Izraeli nuk është një shtet palë në statutin e Romës.

Ku do të përqëndrohet hetimi?

Muajin e kaluar, kryeprokurorja Fatou Bensouda, njoftoi se gjykata do të vazhdojë dhe hetojë krimet e mundshme të kryera nga izraelitët dhe palestinezët në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jeruzalemin Lindor që nga 13 qershori 2014.

Data, e zgjedhur nga palestinezët, shënon një operacion izraelit kundër militantëve palestinezë dhe një intensifikim të dhunës, që çoi në një luftë 50-ditore në korrik dhe gusht.

Sipas OKB-së të paktën 2 mijë e 251 palestinezë vdiqën, duke përfshirë më shumë se 1 mijë e 462 civilë dhe 11 mijë 231 të tjerë të plagosur.

Nga ana izraelite, 67 ushtarë dhe gjashtë civilë u vranë.

Pse kundërshton Izraeli?

Ministria e jashtme palestineze tha se kishte informuar ICC-në për “bashkëpunim të plotë”.

Izraeli, megjithatë, tha se nuk kishte asnjë lidhje me çështjen.

“Izraeli hedh poshtë pretendimin se ai ka kryer krime lufte”, tha zyra e kryeministrit në një deklaratë.

Sipas shtetit izraelit, gjykatës në Hagë i mungon autoriteti për të hapur një hetim kundër tij.

“Ndërhyrja e papranueshme e gjykatës nuk ka asnjë bazë ligjore dhe shkel qëllimet për të cilat u krijua”, theksoi zyra për shtyp.

Izraeli thotë se gjykata nuk ka juridiksion mbi territoret në fjalë, të okupuara nga Izraeli që nga lufta e Lindjes së Mesme 1967.

Ai pohon se palestinezët nuk kualifikohen si një shtet sovran dhe kështu u mungon e drejta për t’u bashkuar.

Izraeli gjithashtu thekson se, data e fillimit për hetimin e krimeve të pretenduara, përjashton rrëmbimin dhe vrasjen nga militantët palestinezë të tre adoleshentëve izraelitë një ditë më parë, gjë që shkaktoi operacionin izraelit.

Çfarë pritet të ndodhë?

Hetimi do të vazhdojë pa përfshirjen e Izraelit.

Nëse Izraeli bllokon hetuesit e ICC–së në terren, dëshmitë e dëshmitarëve mund të merren në vende të tjera si në Hagë ose Holandë.

Rasti pritet të përqëndrohet në tre fusha kryesore: lufta Izrael-Gaza e 2014-ës, dhuna përgjatë kufirit Izrael-Gaza në 2018 mes demonstratave palestineze që mbështesin të drejtën e deklaruar të refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në shtëpitë e të parëve në atë që tani është Izraeli.

Gjithashtu pritet të hetohet për vendbanimet izraelite në territoret e okupuara, të konsideruara të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar – një pikë e diskutuar nga Izraeli.

Hetimi i vë zyrtarët izraelitë dhe palestinezë në rrezik arrestimi nëse ata udhëtojnë jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore