Lajme

Izraeli lajmëron Iranin dhe Hezbollahun: Bëni kujdes, jemi gati për luftë të plotë


Izraeli është gati për të nisur një luftë në shkallë të plotë kundrejt Iranit dhe grupimit militant Hezbollah në Liban.

Kështu ka raportuar kanali 12 izraelit, ku përmendet fakti se përmes kanaleve diplomatike, Izraeli i ka dërguar si Iranit, ashtu edhe aleatëve të tij dhe grupimeve “proxy” në rajon, se është gati për luftë në shkallë të plotë.

Po ashtu është raportuar nga kanali 12 se Izraeli nuk do të hezitojë të përgjigjet ndaj çdo hapi që mund të marrë Irani, apo Hezbollahu, pas vrasjes së djeshme të liderit politik palestinez Ismail Haniyeh në Teheran.

Haniyeh, Intifada dhe burgjet – Kush ishte shefi i Hamasit, që udhëhiqte luftën nga Katari

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka lëshuar po ashtu një urdhër, që Irani të godasë drejtpërdrejt Izraelin, si hakmarrje për vrasjen në Teheran të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, sipas tre zyrtarëve iranianë të informuar mbi urdhrin – raportoi New York Times.

Khamenei dha urdhrin në një takim urgjent të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit të mërkurën në mëngjes, menjëherë pasi Irani njoftoi se Haniyeh ishte vrarë, thanë tre zyrtarët iranianë, duke përfshirë dy anëtarë të Gardës Revolucionare.

Ata kërkuan që emrat e tyre të mos publikohen sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.

Irani dhe Hamasi kanë akuzuar Izraelin për vrasjen; Izraeli, i cili është në luftë me Hamasin në Rripin e Gazës, as nuk e ka pranuar dhe as mohuar vrasjen e Haniyeh, i cili ishte në Teheran për inaugurimin e presidentit të ri të Iranit.

Eliminimi i Haniyeh, çfarë do të thotë situata për Gazën tani?

Izraeli ka një histori të gjatë të vrasjes së armiqve jashtë vendit, duke përfshirë shkencëtarët bërthamorë iranianë dhe komandantët ushtarakë.

Përmes pothuajse 10 muajve të luftës në Gaza, Irani është përpjekur të arrijë një ekuilibër, duke ushtruar presion mbi Izraelin me sulme të rritura ndjeshëm nga aleatët e tij dhe forcat proxy në rajon, duke shmangur një luftë të gjithanshme midis dy kombeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore