Lajme

Izraeli drejt zgjedhjeve të pesta në katër vitet e fundit


Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, mund të jetë në ditët e fundit në këtë post pas vetëm një viti në detyrë.

Së bashku me aleatin e tij kyç të koalicionit, kryediplomatin Yair Lapid, Bennett ka rënë dakord të paraqesë një projekt-ligj.

Kjo, për të shpërndarë parlamentin, i cili nëse miratohet do të shkaktonte zgjedhje të përgjithshme më vonë gjatë vitit.

Njoftimi pasoi javë të tëra pasigurie politike në rritje në Izrael, por gjithsesi erdhi si një surprizë e madhe.

Një deklaratë e shkurtër nga Zyra e Kryeministrit shprehu se masa erdhi “pasi përpjekjet për të stabilizuar koalicionin ishin shterur”.

Një projekt-ligj do të paraqitet në parlament në një moment të javës së ardhshme, shtoi deklarata.

Nëse miratohet, Lapid do të bëhet kryeministri i katërmbëdhjetë i vendit, në përputhje me marrëveshjen fillestare të koalicionit të arritur vitin e kaluar.

Kjo do të thotë gjithashtu se izraelitët do të shkojnë në votime për herë të pestë në më pak se katër vjet.

Ndër pikat e para në agjendën e Lapid-it, duke supozuar se ai do të bëhet lider, do të jetë përgatitja për vizitën e presidentit amerikan Joe Biden muajin e ardhshëm.

Qeveria Bennett-Lapid u betua në detyrë në qershor të vitit të kaluar.

Kjo, duke i dhënë fund mandatit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili kishte zgjatur rreth dymbëdhjetë vjet e gjysmë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore