Lajme

Izraeli dhe Egjipti do të rrisin dërgesat e gazit në BE


Izraeli dhe Egjipti do të rrisin dërgesat e gazit në Bashkimin Evropian (BE), pasi të tria palët nënshkruan një marrëveshje të re energjetike në Kajro të mërkurën, ndërsa Brukseli kërkon të shkurtojë varësinë energjetike nga Rusia.

Zbulimet e fundit në Mesdhe e kanë bërë rajonin një burim potencial importesh të reja.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit të së mërkurës, i cili pason marrëveshje të ngjashme midis BE-së dhe SHBA-ve dhe BE-së me Katarin, gazi izraelit do të lëngëzohet në fabrikat në Egjipt, përpara se të dërgohet me cisternë në bllok.

Ndërsa gazi izraelit është dërguar tashmë në Egjipt, ministrja e Energjisë e Izraelit, Karine Elharrar, e përshëndeti marrëveshjen si momentin në të cilin Izraeli, i cili pritet të dyfishojë prodhimin e tij të gazit pas zbulimit të fushave të reja të gazit në det të hapur në dekadën e kaluar bëhet “një lojtar i rëndësishëm në tregun global të energjisë”.

Ministri i Naftës i Egjiptit, Tarek el-Molla, tha se marrëveshja, e cila do të zgjasë për tre vjet dhe mund të zgjatet për dy të tjera, ishte një “piketë” dhe mund të çojë në bashkëpunim të mëtejshëm mes vendeve të tjera të Mesdheut.

Ministri i Naftës i Egjiptit, Tarek el-Molla

Komisioni Evropian tha se tani pret të importojë 7 miliardë metra kub LNG nga Egjipti në vitin 2022, nga 5 miliardë metra katrorë që pritej fillimisht. Kjo mund të dyfishohet përsëri vitin e ardhshëm, tha një zëdhënës.

Nënshkrimi në Kajro vjen mes shqetësimeve në rritje brenda BE-së në lidhje me besueshmërinë e furnizimeve me gaz rus, që përbënte rreth 40 për qind të importeve të gazit të bllokut vitin e kaluar.

Grupi italian i gazit “Eni” të mërkurën tha se Rusia kishte ulur furnizimet me gaz në vend me 15 për qind, një ditë pasi Gazprom i Rusisë tha se do të shkurtonte furnizimet në Gjermani nëpërmjet tubacionit Nordstream 1 me 40 për qind.

Gjatë një udhëtimi në Izrael të martën, Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, akuzoi Moskën për ndërprerjen e “qëllimshme” të furnizimeve për vende dhe kompani të ndryshme evropiane që nga pushtimi rus i Ukrainës në “hakmarrje për mbështetjen tonë” për Kievin.

Ajo këmbënguli se kjo “vetëm kishte forcuar vendosmërinë tonë për t’u çliruar nga varësia jonë nga karburantet fosile ruse”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Megjithatë, analistët paralajmëruan se aftësia e Egjiptit ose e Izraelit për të dërguar vëllime të mëdha shtesë në BE në afat të shkurtër ishte e kufizuar dhe se marrëveshja në Kajro nuk do të mjaftonte më vete për të mbushur boshllëkun e lënë nga dërgesat ruse.

“Marrëveshja nuk parashikon ndonjë afat kohor specifik për rritjen e rrjedhave të LNG nga Egjipti ose për ndërtimin e një tubacioni të ri për të dërguar vëllime shtesë të gazit izraelit në Egjipt”, tha Leo Kabouche, analist i tregut të LNG në Energy Aspects në Londër.

Tom Marzec-Manser, kreu i analitikës së gazit në ICIS, tha se dërgesat izraelite në Egjipt dhe dërgesat egjiptiane në BE ishin rritur këtë vit, për shkak të çmimeve të larta në bllok dhe sesi rezultat, marrëveshja kishte më shumë gjasa të ndikonte dërgesat afatgjata.

“Tregu është shpesh një shtytës më i mirë i këtyre llojeve të zhvillimeve sesa marrëveshjet politike”, shtoi ai.

Martijn Murphy, analist kryesor për Afrikën e Veriut në Wood Mackenzie, konsulenca e naftës dhe gazit, tha se marrëveshja mund të ndihmojë në nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të fushave të gazit izraelit.

“Do të ndihmojë Izraelin në drejtim të tërheqjes së IOC-ve (kompanive ndërkombëtare të naftës) në vend, të cilët mund të jenë të sigurt se do të ketë një treg për të shitur gazin”.

Marrë nga Financial Times, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore