Përballje

Ivan Balliu i jep një pikë Rayo Vallecano-s


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Ivan Balliu, i ka dhënë një pikë të rëndësishme ekipit të tij, Ray Vallecano-s, duke shënuar golin e vetëm në barazimin 1:1 përballë Real Betis-it, në ndeshjen e javës së 20-të në La Liga.

Betis kaloi e para në epërsi me golin e shënuar nga Sergio Canales në fundin e pjesës së parë, përkundër që ata ishin duke luajtur me një lojtar më pak që nga minuta e 33-të, pas daljes me karton të kuq të Alex Moreno-s.

Me një futbollist më shumë në fushë, Rayo u hodh e gjitha në sulm dhe golin e barazimit e gjetën në minutën e 70-të, me mbrojtësin anësor kuqezi, i cili u asistua nga Oscar Trejo.

Në vazhdim, Vallecano shtoi forcat në sulm, por nuk arritën të marrin më shumë se një pikë nga kjo ndeshje.

Me këtë barazim, Rayo Vallecano pozicionohet në vendin e shtatë në tabelë me 31 pikë, ndërsa Real Betis ka tri pikë më shumë dhe zë vendin e tretë.

Ndërkohë, sa i përket Balliut, ky ishte goli i parë i tij në këtë edicion, i cili ka dhuruar edhe një asistim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore