Lajme

Italianët përgatiten për mbylljen


Italianët nxituan të shkonin në parqe, dyqane dhe sallone flokësh përpara se pjesa më e madhe e vendit të mbyllet, të hënën. Kjo vjen si përpjekje për të frenuar rritjet e infektimeve me coronavirus.

Temperaturat e ngrohta dhe moti me diell i shtyu njerëzit jashtë për piknik, një traditë për të hënën e Pashkëve, e cila bie gjatë bllokimit, më 5 prill.

Shumë të rinj u mblodhën pa maska ​​për një piknik të fundit, duke bërë që policia të gjobisë 1 mijë e 338 persona.

Sallonet e bukurisë dhe parukeritë  panë një rritje të rezervimeve prej 100%, njoftoi gazeta e përditshme, la Repubblica.

Për të parandaluar turmat, u vendosën kontrolle policore në zonat qendrore të qyteteve të mëdha.

Kryeministri italian, Mario Draghi, nxiti bllokimin e ri sepse infeksionet po kapin nivelet të larta dhe programi i vaksinave të vendit është përballur me një pabarazi në shpërndarje.

Italia, epiqendra evropiane e shpërthimit fillestar një vit më parë, ka pësuar më shumë se 100 mijë vdekje, e dyta në Evropë pas Mbretërisë së Bashkuar.

Kabineti i Draghi-t miratoi kufizimet e reja të premten. Ai kërkoi që shkollat, dyqanet dhe restorantet të mbyllen në rajonet e “zonës së kuqe”. Qeveria është zotuar të trefishojë vaksinimet deri më 20 prill dhe të vaksinojë  80% të popullsisë deri në shtator.

Sipas presidentit të lobit të biznesit Confcommercio, Carlo Sangalli, mbylljet e reja të dyqaneve dhe hoteleve do të rezultojnë në 15 miliardë euro humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore