Shqipëria

Italia zhvillon ministerialin me Ballkanin Perëndimor, Meloni: Integrimi i rajonit, investim strategjik i vetë Evropës


Në Itali është mbajtur takimi ministerial  për Ballkanin Perëndimor, hapur në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani.

Në një mesazh, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka thënë se një përshpejtim i integrimit të vendit në Bashkimin Evropian do të rriste stabilitetin dhe se integrimi nuk duhet të ngecë pasi çdo gjë që ndodh përtej në krahun tjetër të Adriatikut, reflekton edhe në BE.

“Ballkani Perëndimor ka pasur gjithmonë një rëndësi strategjike për Italinë dhe qëllimi i kësaj qeverie është të sjellë më shumë Itali në këtë rajon nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore”, ka thënë ajo.

Sipas Meloni-t, gjithçka që ndodh përtej Adriatikut ka në mënyrë të pashmangshme një ndikim të menjëhershëm dhe për këtë arsye Italia ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit.

Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor, sipas saj, është një investim strategjik në sigurinë e vetë Evropës dhe në stabilitetin e zonës.

“Italia është kontribuuesi i parë evropian për sigurinë e rajonit me misionet KFOR dhe EUFOR Althea dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim me vendosmërinë më të madhe”, ka thënë ajo.

Po ashtu ka shtuar se duhet angazhimi i të gjithëve për të çuar përpara në thelb procesin e pajtimit rajonal dhe për të rritur përpjekjet për të kapërcyer barrierat dhe pengesat që e pengojnë rajonin të shfrytëzojë potencialin e plotë.

Mënyra më e mirë për stabilizimin e plotë të Ballkanit, për kryeministren italiane, është ankorimi definitiv i rajonit në familjen evropiane.

“Në vitin 2022 arritëm piketa historike: Italia mbështeti me bindje hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vendimin e Këshillit Evropian për të njohur Bosnjën dhe Hercegovinën si kandidate. Tani duhet të ruajmë këtë ritëm dhe të vazhdojmë me vrull, duke përdorur të gjitha stimujt në dispozicion”, përmbylli Melonit.

Sakaq, në takim ishte e pranishme edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Ajo u shpreh se lufta ne Ukrainë duket se e ka vetëdijësuar BE-në për faktin qe siguria dhe stabiliteti i bllokut është i lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja po tregon një qasje më strategjike ndaj rajonit dhe s’ka asnjë dyshim që besueshmëria e perspektivës evropiane është një faktor kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe vetë BE-së”, theksoi ajo.

Gjithashtu theksoi frymën e re të bashkëpunimit rajonal në rajon dhe mundësitë e mëdha për bashkëpunim ekonomik e investime strategjike, veçanërisht në sektorin e energjisë në rajon ku Italia mund të luajë një rol të rëndësishëm e të mirëpritur.

Në takim, merrnin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i BE, Oliver Varhelyi, Ministrat e Jashtëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe MPJ i Suedisë, Tobias Billström, vend i cili mban Presidencën e radhës së Këshillit.

Atje u trajtuan çështje të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në Evropë dhe në botë.

Çështje që kanë të bëjnë me energjinë, sigurinë kibernetike, politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, migracionin, si dhe me procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit kanë qenë në fokus të takimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore