Sport

Italia rikthen tifozët në stadiume?


Ministri italian i Sporteve dhe Rinisë, Vincenzo Spadafora, në një prononcim gjatë ceremonisë së “Gazzetta Awards”, pohoi se po ndiqet me vëmendje të madhe çështja e rikthimit të tifozëve në stadiume.

Sipas Spadafora, shifrat aktuale janë një tregues negativ për hapjen e stadiumeve, pasi numri i të prekurve është tejet i lartë, por megjithatë, po punohet që hapja të jetë sa më e afërt dhe sigurisht me numër shumë herë më të reduktuar, nga çfarë mund të mbajë kapaciteti i stadiumeve.

Më herët, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pas një takimi me Kryeministrin Italian, Giuseppe Cone, i kërkoi këtij të fundit hapjen e stadiumeve me kapacitete të reduktuara, si zgjidhja më e mirë dhe më jetike për futbollin. Por, Kryeministri Conte, e ka përjashtuar një mundësi të tillë, pasi shifrat e të prekurve nuk janë shumë shpresëdhënëse.

Qeveritë e futbollit, FIFA dhe UEFA, kanë sugjeruar që stadiumet të hapen në jo më shumë se 30% të kapacitetit të tyre, në çdo vend që kërkon të rihapë stadiumet për tifozët.

Por, sigurisht që ky nuk është një ligj, për federatat anëtare, pasi në këtë periudhë i është lënë në dorë ministrive të shëndetësisë dhe qeverive përkatëse, të çdo vendi, të vendosin mbi këtë çështje./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore