Shqipëria

Italia përkushtohet për të finalizuar marrëveshjen e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj filloi të premten një vizitë zyrtare dy ditore në Itali ku u prit me nderimet e veçanta nga homologu i tij italian Sergio Mattarella.

Kujtojmë që kjo është vizita e parë e presidentit shqiptar në një prej vendet e Evropës Perëndimore, por edhe një konfirmim i një dialogu shumë të mirë politik e në nivelet më të larta midis dy vendeve.

Pas ceremonive të rastit, Presidenti Begaj dhe Presidenti Mattarella, zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.

Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.

Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Italisë pas ndryshimeve demokratike mbi tri dekada më parë.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëdimensionale ekonomiko-sociale përmes programeve të zhvillimit e ndihmës, si dhe pritjen e afro gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në Itali, Presidenti Begaj nënvizoi se këto ngjarje i kanë bërë edhe më të forta marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërshtetërore midis dy vendeve.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e tregtare, dhe duke iu referuar Italisë si partneri kryesor e i privilegjuar tregtar dhe si një prej donatorëve kryesorë për Shqipërinë, nënvizoi se mundësitë janë edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Prania në rritje e sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe interesi për investime në sektorët strategjikë apo në projekte madhore rajonale si Gazsjellësi TAP e Korridori 8-të, janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim, por që duhen promovuar edhe më shumë.

Një mirënjohje të veçantë, Presidenti Begaj e shprehu për mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit të këtij procesi.

Duke u ndalur te roli e te kontributi i arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në Itali, Kreu i Shtetit vlerësoi se falë mbështetjes e solidaritetit shtetëror, si dhe falë mikpritjes italiane ata janë më së miri të integruar në jetën sociale, ekonomike, por edhe politike italiane, duke mos u ndjerë kurrë të kërcënuar për t’u asimiluar.

Të dy presidentët ranë dakord të mbështesin iniciativat e përbashkëta shtetërore në ruajtjen dhe në promovimin e këtyre vlerave të përbashkëta, të cilat qëndrojnë në themel të miqësisë së sprovuar midis dy popujve.

Një nga këto iniciativa, si ajo e fondit të trashëgimisë arbëreshe “Moti i Madh”, është e lidhur me përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen dhe promovimin në UNESCO të gjuhës dhe traditave arbëreshe.

Në fund të takimit, të dy Presidentët ranë dakord të vijojnë inkurajimin dhe mbështetjen për institucionet e të të dy vendeve në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit e të miqësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore