Euro 2020

Italia me rekorde fantastike


Itali vs. Zvicër 3:0, ndeshja e dytë e fazës së grupeve në "Euro 2020"

Italia momentalisht është njëra ndër kombëtaret më favorite për të triumfuar, me lojën bindëse që po tregon në këtë Kampionat Evropian “Euro 2020”.

Të kaltrit, në dy ndeshjet e para, kanë mposhtur Turqinë dhe Zvicrën me të njëjtin rezultat 3:0, duke krijuar një goldallim prej 6:0 në “Euro 2020”.

Skuadra e Mancini-t, me këto gjashtë gola, ka arritur kuotën e 31 golave të shënuar dhe asnjë të pësuar, në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Golin e fundit, kombëtarja italiane e ka pësuar në ndeshjen e Ligës së Kombeve, përballë Holandës, më 14 tetor të vitit të kaluar, të cilën barazuan me rezultat 1:1.

Italia gjithashtu mbanë një rekord fantastik, duke mos humbur në 29 ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Disfatën e fundit, katër herë kampionia e botës, e ka pësuar më 10 shtator të vitit 2018, kundër Portugalisë, me rezultat 1:0.

Roberto Mancini, do të ketë mundësinë që në ndeshjen e tretë të grupeve kundër Uellsit, të barazojë rekordin e Vittorio Pozzo-s, i cili në vitet 1935-1939, arriti të regjistrojë me Italinë 30 ndeshje pa pësuar humbje.

Në atë periudhë, “Azzurrët” arritën të fitonin një Kupë Ndërkombëtare, Lojërat Olimpike 1936 dhe Kampionatin Botëror 1938.

Italianët, tashmë janë bërë kombëtarja e parë në “Euro 2020” të cilët kanë siguruar kalimin e fazës së grupeve, që gjithashtu në ndeshjen ndaj Uellsit, do t’i duhej vetëm një barazim, për të ruajtur kryesimin e grupit A.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore