Aplikacione

Italia gjobë Facebook-ut


Në Itali, mbikqyrësi i konkurrencës ka deklaruar se ka gjobitur platformën Facebook me shtatë milionë euro për mosrespektimin e një kërkese nga rregullatori për të korrigjuar praktikat e pahijshme tregtare në trajtimin e të dhënave të përdoruesëve.

Agjensia e lajmeve, Reuters, bën me dije se Facebook-u nuk është treguar menjëherë i disponueshëm për të komentuar këtë lëvizje të mbikqyrësit të konkurrencës në Itali.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që organi antitrust ndërmerr masa të tilla kundrejt Facebook-ut. Edhe në muajin nëntor të vitit 2018, deklaroi se platforma nuk i kishte informuar përdoruesit si duhet lidhur me mbledhjen dhe përdorimin e të dhënave.

Sipas Reuters, autoriteti e gjobiti kompaninë amerikane me pesë milionë euro. Madje i kërkoi Facebook-ut të publikonte një deklaratë të ndryshuar në faqen e saj kryesore të italisë në internet, në aplikacionin e tij dhe në faqen personale të secilit përdorues italian të regjistruar.

Nga ana tjetër, rregullatori ka deklaruar se “hetimi aktual ka provuar se kompania nuk e ka publikuar deklaratën e ndryshuar dhe nuk e ka ndalur praktikën e padrejtë të vendosur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore