Lajme

Italia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës


Antonello De Riu

Italia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kështu të paktën thotë ambasadori i saj në Kosovë, Antonello De Riu, i cili në një intervistë për mediumin italian ANSA, ka deklaruar se në këtë situatë është thelbësore aspirata legjitime e Kosovës.

Sipas De Riu, Italia së bashku me partnerët e tjerë të shteteve të QUINT-it, inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë, që të punojnë në mënyrë konstruktive, për të arritur një marrëveshje vendimtare për stabilizimin e rajonit dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

“Është një mundësi historike për të dyja vendet që të mbyllin përfundimisht trashëgimitë tragjike të së kaluarës dhe të shohin përpara drejt perspektivës së hyrjes në Bashkimin Evropian. Pra është thelbësore aspirata legjitime e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës – sinjal i rëndësishëm i angazhimit për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të saj – të ushqehet edhe nga një progres thelbësor në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë De Riu.

Ambasadori italian ka folur edhe për luftën në Ukrainë duke thënë se zgjerimi i saj në Ballkanin Perëndimor mund të shmanget nëse perspektiva evropiane bëhet e prekshme për vendet e këtij rajoni.

“Në rastin e Kosovës është e nevojshme të tejkalohet zhgënjimi në rritje i opinionit publik vendor për procesin e integrimit evropian, edhe për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë – të vetmit në rajon që nuk përfitojnë nga kjo masë – pavarësisht se Vendi ka kohë që ka arritur të gjithë parametrat për ta marrë atë”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore