Lajme

Italia do të shtyjë për investime në Ballkanin Perëndimor


Roma dëshiron të shohë kompanitë e saj të investojnë në sektorë strategjikë në Ballkanin Perëndimor, një rajon prej gjashtë vendeve aspirante për Bashkimin Evropian, që kanë lidhje të ngushta ekonomike me Italinë.

Duke përfituar nga afërsia gjeografike dhe lidhjet historike, Italia është tashmë një nga investitorët dhe partnerët kryesorë tregtarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është gjithashtu një ithtar i integrimit të tyre më të thellë me BE-në.

Këtë, nuk e ka lënë të mos bjerë në sy as kryeministrja e re, Giorgia Meloni, e cila gjatë një konference në Trieste, të emërtuar “Italia dhe Ballkani Perëndimor”, së bashku me zyrtarë të tjerë italianë, theksoi rëndësinë strategjike të Ballkanit për Italinë.

Qëllimi? Të sjellë më shumë italianë në rajon!

“Kompanitë tona tashmë luajnë një rol udhëheqës në rajon, por ne duhet të rivitalizojmë këtë prani dhe të investojmë në sektorë strategjikë”, tha ajo zëlartë gjatë fjalimit të saj, duke nënvizuar faktin se nuk po flet vetëm për çështje të infrastrukturës dhe rrjetit energjetik, por edhe për zhvillimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Modeli italian, lidhur me këtë, mundet të ofrojë një ekspertizë të madhe dhe të avancuar, falë eksperiencës në fusha të ndryshme.

E gjitha, duke përfituar njëkohësisht nga mundësitë që vendet e gjashtëshes ballkanike, ofrojnë.

“Duhet të shfrytëzojmë në maksimum marzhet e konsiderueshme të rritjes që ekzistojnë për kompanitë tona në ato tregje shumë të rëndësishme”, shtoi Meloni më tej.

Teksa, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, foli më shumë për të bashkuar të gjitha forcat italiane të sektorëve të ndryshëm, qoftë sipërmarrëse, qoftë ato politike.

E gjitha, nën bekimin e BE-së, për të nisur një prani gjithnjë e më të fortë italiane, në një rajon, i cili duhet domosdoshmërisht të bëhet pjesë e tregut të madh të unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore