Euro 2020

Italia dhe Uellsi prejnë biletat për 1/16 e finales


Përfaqësueset e Italisë dhe Uellsit e kanë siguruar kualifikimin për në fazën e 1/16 të finales së Kampionatit Europian “Euro 2020”.

Italianët e mbyllën fazën e grupeve me pikë maksimale, për të dytën herë në historinë e pjesëmarrjeve të tyre në këtë garë.

Ndërkaq, Uellsi megjithëse humbi përballjen e fundit në grup ndaj Italisë, me rezultat 1-0, u kualifikua për shkak të goldallimit.

Kjo fitore do të thotë që Italia është tani 30 ndeshje me radhë pa humbje në të gjitha kompeticionet.

Ata barazojnë rekordin e tyre më të mirë, që e kishin vendosur në vitin 1935, deri në 1939.

Uellsi, në pjesëmarrjen e tyre të dytë në EURO, shkruajnë historinë.

Ata bëhen skuadra e vetme debutuese që arrin fazën me eliminim në dy pjesëmarrjet e tyre të para.

Dy ndeshjet e fundit të grupit të parë(Grupi A), Italia – Uellsi dhe Zvicra – Turqia, që u luajtën në të njëjtën kohë, vendosën gjithçka.

Në vendin e tretë mbeti Zvicra, me pikë të njëjta sa Uellsi, por me goldallim më të dobët.

Fitorja e Zvicrës me rezultat 3-1 ndaj Turqisë i jep mundësi që kualifikimin ta kërkojë nga pozita e tretë në grup.

Skuadra e Vladimir Petkoviç tani do të shpresojë që të kualifikohet si një ndër katër të tretat.

Turqia mbeti në vendin e fundit, me zero pikë.

Përfaqësuesja turke, para nisjes së kampionatit shihej si një ndër skuadrat që mund të shkaktonin befasinë, por që zhgënjeu tërësisht.

Në tre ndeshje, turqit shënuan vetëm një herë, e pësuan plot tetë gola.

Italia dhe Uellsi tani presin që të mësojnë kundërshtarët e tyre, për fazën me eliminim që fillon të shtunën, më 26 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore