Shqipëria

Itali: Trafik droge nga Shqipëria, në pranga 23 persona


Efektivët e komandës së Brindisi-t, të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Lecce-s, kanë arrestuar të shtunën e 22 janarit, 23 persona për transport dhe shitje të sasive të mëdha të drogës.

Droga, sipas njoftimit të autoriteteve italiane vinte nga Shqipëria, Turqia dhe Holanda.

Gjyqtari lëshoi urdhrin për arrestimin e 23 personave, nga të cilët 19 gjenden në burg dhe katër prej tyre në arrest shtëpie.

Të arrestuarit banonin në provincat e Brindis-it dhe Taranto-s dhe gjithashtu në Kalabri dhe Shqipëri.

Hetimet kishin të bënin me një organizatë kriminale transkombëtare, me burime financiare dhe logjistike, e specializuar në transportin dhe shitjen e sasive të mëdha të drogës.

Në veçanti, hetimet e nisura në vitin 2018 nga njësia e policisë ekonomiko-financiare, evidentuan praninë në Brindisi të një grupi që ishte terminali italian i një organizate ballkanike.

Kjo e fundit ishte e aftë për të importuar ngarkesa të konsiderueshme heroine dhe kokaine në provincën e Brindisi-t.

Droga më pas shitej në sheshet e ndryshme të Puglia-s dhe Reggio Calabria-s.

Në lulëzimin e trafikut të drogës ishin përfshirë edhe elementë të “SCU Mesagne”.

Janë gjithsej 45 të dyshuar të cilët për shkaqe të ndryshme akuzohen për krime të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike apo zhvatje të rëndë me metodën mafioze.

Gjatë hetimeve u sekuestruan 57 kilogramë kokainë dhe 200 gramë heroinë

Gjithashtu janë sekuestruar 200 mijë euro para të gatshme, dy pistoleta dhe një karikator dhe 2 mijë e 200 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore