Lajme

Itali/ Pfizer-i do të vazhdojë furnizimin me vaksina


Shefja e ekzekutivit të Pfizer-it në Itali, Paivi Kerkola, ka shprehur se kompania do të vazhdojë furnizimin me vaksina edhe nëse Roma zyrtare do të ngrejë padi kundrejt tyre.

Të martën, zyrtarët e shtetit italian, i kërkuan Komisionit Evropian (KE) të marrë veprime kundër Pfizer-it.

Italia do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Pfizer-it dhe AstraZeneca-s rreth vonesave në shpërndarjen e vaksinave”, ishin fjalët e ministrit të Jashtëm, Luigi Di Maio, të hënën.

“Ne nuk kemi ndërmend të spekulojmë për këtë, por do të vazhdojmë furnizimin siç parashikohet në marrëveshjen me KE-në”, tha Kerkola në një intervistë me të përditshmen, la Repubblica.

Ajo shtoi se furnizimi i vaksinave në Itali do të fillonte të ishte “i rregullt” që nga kjo javë.

Javën e kaluar Pfizer-i u shpreh se do të ngadalësonte përkohësisht procesin e furnizimit. Kjo, për të bërë ndryshime që do të rrisnin prodhimin e vaksinave.

Kerkola, tha se ajo besonte që kompania do të ishte në gjendje të furnizonte me 2 miliardë doza vaksine deri në fund të vitit.

E pyetur në lidhje me ndryshimin e çmimit të vaksinave, ajo u shpreh se çmimet do të mbeten konfidenciale. Sipas saj kompania do të përdorë një parim të “aksesit të drejtë”.

Shpërndarja e vaksinave ka sjellur pakënaqësi dhe në shumë vende të tjera. Shumë prej tyre e kanë kthyer orientimin nga vaksina ruse dhe kineze.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore