Lajme

Itali/Flet gruaja e oficerit spiun rus: “Ai ishte i dëshpëruar”


Lidhur me arrestimin e marinsit italian për rrjedhje informacioni shtetëror kundrejt shërbimeve ruse, ka reaguar të enjten e 1 prillit dhe bashkëshortja e tij.

“Burri im nuk donte t’i bënte këtë gjë vendit, më vjen keq për këtë situatë. Ju siguroj se ai u dha rusëve atë që më së paku mund tu jepte. Asgjë kompromentuese. Sepse ai nuk është budalla, i papërgjegjshëm. Ai ishte vetëm i dëshpëruar për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve. Dhe kështu erdhi dhe kjo që ndodhi … “.

Claudia Carbonara, 54 vjeç, psikoterapiste e specializuar në seksologji klinike, eksperte në terapitë individuale dhe çiftesh. Ajo është gruaja e Walter Biot, kapitenit të fregatës i kapur nga Ros duke i shitur informacione sekrete ushtarake rusëve në një parking në Romë.

“E di që Walter ka qenë në krizë për ca kohë, ai kishte frikë se mos nuk ishte në gjendje të përballonte shpenzimet e shumta që kemi. Ekonomia e shtëpisë. Për shkak të Covid-it ne jemi varfëruar, a e dini”, tregon gruaja.

Walter Biot punon në Shtabin e Mbrojtjes. Ai ka një pagë fikse, madje edhe të një niveli të mirë. Flitet për 3 mijë euro në muaj. “Po, tre mijë euro, por nuk ishte më e mjaftueshme për të drejtuar një familje me 4 fëmijë, 4 qen, shtëpia në Pomezia ende për t’u paguar, 268 mijë euro hipotekë, 1 mijë e 200 në muaj. Dhe pastaj shkolla, aktiviteti fizik, palestrat e fëmijëve që ai absolutisht nuk donte që ata të hiqnin dorë”.

Kolegët gjithashtu thanë se nuk e besuan atë që ngjau dhe Claudia thotë se “natyrisht, ai ka qenë gjithmonë në gatishmëri për 30 vite, i ka shërbyer vendit, nga Marina në Mbrojtje, në bordin e anijeve. Walter ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj atdheut të tij dhe e përsëris: edhe sikur të bënte atë që bëri, jam e sigurt se duhet të ketë menduar mirë që të mos rrezikojë interesin kombëtar. Ai nuk është budalla, e përsëris”.

“Por ai nuk është një tradhtar i vendit, ua siguroj, ai i ka shërbyer vendit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore