Stil

Issey Miyake, stilisti japonez, ka vdekur në moshën 84-vjeçare


Issey Miyake

Issey Miyake, stilisti japonez i modës, i njohur për risitë e tij me pëlhurën dhe përdorimin e teknologjisë për të prodhuar veshje interesante dhe praktike, ka vdekur në moshën 84-vjeçare nga kanceri në mëlçi.

Një shërbim funerali është mbajtur tashmë me familjen dhe miqtë e tij të ngushtë, kanë bërë të ditur të afërmit e tij, duke shtuar se një ceremoni përkujtimore nuk do të mbahet, në përputhje me dëshirat e Miyake, bëri të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo”.

I njohur për prakticitetin e tij, dizajneri thuhet se donte të bëhej kërcimtar ose atlet përpara se të lexonte revistat e modës së motrës së tij, që e frymëzuan atë të ndryshonte drejtim – me ato interesa origjinale që besohet se qëndrojnë pas lirisë së lëvizjes që lejojnë veshjet e tij.

Miyake ka lindur në Hiroshima dhe ishte shtatë vjeç kur bomba atomike u hodh në qytet ndërsa ai ishte në një klasë.

Ai hezitoi të fliste për ngjarjen në jetën e mëvonshme, duke thënë se nuk donte të etiketohej si “dizajneri që i mbijetoi bombës”.

Megjithatë ai e përmendi këtë histori në një artikull të “New York Times”.

“Kur mbyll sytë, ende shoh gjëra që askush nuk duhet t’i përjetojë kurrë”, shkroi ai, duke shtuar se brenda tre viteve, nëna e tij vdiq nga ekspozimi ndaj rrezatimit.

“Jam përpjekur, edhe pse pa sukses, t’i lë pas vetes, duke preferuar të mendoj për gjëra që mund të krijohen, jo të shkatërrohen dhe që sjellin bukuri dhe gëzim. U gravitova drejt fushës së dizajnit të veshjeve, pjesërisht sepse është një format krijues, është modern dhe optimist”.

Pasi studioi dizajnin grafik në një universitet arti në Tokio, ai mësoi dizajnin e veshjeve në Paris, ku punoi me stilistët e famshëm Guy Laroche dhe Hubert de Givenchy, përpara se të shkonte në Nju Jork. Në vitin 1970 ai u kthye në Tokio dhe themeloi “Miyake Design Studio”.

Në fund të viteve 1980, ai zhvilloi një mënyrë të re palosjeje duke i mbështjellë pëlhurat midis shtresave të letrës dhe duke i vendosur ato në një shtypës të nxehtësisë, me rrobat që mbanin formën e tyre të palosur. E testuar për lirinë e tyre të lëvizjes te kërcimtarët, kjo çoi në zhvillimin e linjës së tij “Pleats, Please”.

Përfundimisht ai zhvilloi më shumë se një duzinë linjash të modës duke filluar nga Issey Miyake e tij kryesore për burra dhe gra deri te çanta, orët dhe aroma përpara se të tërhiqej në vitin 1997 për t’iu përkushtuar kërkimit.

Në vitin 2016, kur u pyet se çfarë mendonte për sfidat me të cilat përballen dizajnerët e ardhshëm, ai tregoi për gazetën “Guardian” të Mbretërisë së Bashkuar se njerëzit kishte të ngjarë të konsumonin më pak.

“Mund të na duhet të kalojmë një proces rrallimi. Kjo është e rëndësishme”, citohet të ketë thënë ai.

“Në Paris, ne i quajmë njerëzit që prodhojnë veshje – ata zhvillojnë artikuj të rinj veshjesh – por në fakt puna e dizajnit është të bësh diçka që funksionon në jetën reale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore