Libra

Ismail Kadare takohet me krerët e shtetit të Kosovës në hapjen e “Panairit të Librit”


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën si dhe ministrin e Kulturës, Hajrullah Çekun e kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Ramën kanë marrë pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të 23-të të “Panairit të Librit”.

“Libri Triumfon” është motoja e sivjetme e panairit, derisa mysafir nderi në hapje ishte shkrimtari i njohur botërisht, Ismail Kadare bashkë me bashkëshorten e tij po ashtu shkrimtare, Elena Kadarenë.

Me këtë rast, Konjufca ka komentuar figurën e Kadaresë, derisa e ka cilësuar atë si një personalitet “me forcë gjigande të ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare”.

Glauk Konjufca dhe Albin Kurti gjatë takimit me Ismail Kadarenë.

“Ismail Kadare gjithnjë ka qenë dhe është forcë gjigande e ngritjes së vetëdijes botërore për gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare. Ai për Kosovën bëri gjithçka që mund të bënte një intelektual i përmasave planetare. Kosovës i kushtoi edhe vepra dhe e kërkoi me ngulm lirinë tonë. Ishte zëri ynë kolektiv kudo që shkoi, në çdo intervistë, në çdo paraqitje, në secilin takim me figurat e rëndësishme politike të kohës”, ka thënë Konjufca.

I pari i Kuvendit, e ka vlerësuar lartë kontributin e dhënë nga Kadare për shqiptarët, duke përfshirë edhe angazhimin e tij për lirinë e Kosovës.

“Për shkak të kontributit të tij për kulturën dhe letërsinë në planin kombëtar, por edhe atë universal, si dhe për punën e tij të palodhshme për lirinë e Kosovës dhe për emancipimin e kombit shqiptar, Ismail Kadare është ngritur në simbolin më të lartë e kuptimplotë për popullin tonë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Në anën tjetër, Kadare është shprehur falënderues për pritjen që i është bërë me rastin e hapjes së “Panairit të Librit”.

Përndryshe, në panairin e këtij vitit do të marrin pjesë pothuajse 100 shtëpi botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe nga diaspora.

Panairin e Librit “Prishtina 2023”, pritet ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë duke përfshirë studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate, derisa disa prej datëlindjeve të kolosëve letrarë që do të zënë vend, brenda këtij panairi janë, ajo e Ernest Koliqit, Petro Markos si dhe Jakov Xoxës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore