Lajme

Ish-zyrtari i lartë amerikan: Gjykata Speciale po dështon dhe është komprometuar


Gjylata Speciale

Në një shkrim autorial për revistën amerikane “The National Interest”, Ambasadori Joseph Adam Ereli, ka shkruar rreth dështimit të Gjykatës Speciale dhe mbase nevojës për rishikim të saj.

Ereli është një ish-zyrtar i lartë amerikan, i cili ka shërbyer në detyra të ndryshme brenda departamentit amerikan, por pozitat e tij më të rëndësishme ishin ish-zëdhënës për Sekretarin e Shtetit Amerikan, Colin Powell dhe ish-zëdhënës po ashtu për për Sekretaren e Shtetit, Condoleezza Rice.

Ky është shkrimi i plotë i Ereli, përkthyer nga Albanian Post.

Qyteti holandez i Hagës ka një reputacion për integritetin e lartë në sistemin e drejtësisë dhe pavarësisë gjyqësore. Po në këtë qytet janë të vendosura Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Ndërkombëtare për Krime dhe gjithashtu një numër i madh gjykatash të përkohshme ku përfshihen Tribunali Ndërkombëtar për krimet e luftës në Ish-Jugosllavi, Tribunali Special për Lebanon dhe Tribunali i Dhomave Speciale të Kosovës, detyra e të cilit tribunal është të gjykojë kosovarët e akuzuar për krime lufte në luftën e këtij kombi për pavarësi.

Fatkeqësisht, prokurorët në Hagë vazhdimisht dështojnë të jetojnë në raport me pritjet dhe idealet e larta në të cilët ata thirren dhe të cilave supozohet se u shërbejnë. Në dy raste të profilit të lartë që përfshinë Lebanonin dhe Kosovën, sforcimi i përdorimit të provave të dyshimta e të ndotura dhe gjithashtu shembuj të tjerë të sjelljes jo të duhur e vë në pikëpyetje të madhe integritetin e këtyre gjykatave.

Pas 15 vjetësh nëpër procedura ligjore që tashmë ka kapur shifrën e shpenzimeve prej 1 miliard dollarësh, Tribunali Special për Lebanonin ka dënuar vetëm një nga katër të akuzuar, për përfshirjen e tij në bombardimet që lanë të vdekur kryeministrin, Rafiq Hariri dhe 21 persona të tjerë  në vitin 2005, por atentatori kryesor nuk është kapur asnjëherë.

Jo veç dështimi për të kapur të fajshmit, gjykata shënjestroi persona komplet te pafajshëm në një përpjekje të gabuar për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimi dhe pafuqia e saj dhe për të arsyetuar disi buxhetin jashtëzakonisht të lartë, pjesë e rëndësishme e të cilit paguhet nga qytetarët e Lebanonit.

Në vitin 2015 gjykata inicioi procedura kundër Karma Khayat, një gazetare lebaneze që është e akuzuar se ka vënë në rrezik procedurat e gjykatës duke publikuar listën e dëshmitarëve.

Një pako që përmbante brenda këta emra dhe informacione të tjera, ishte lënë në mënyrë misterioze tek studiot e saj televizive. Në mbrojtje të saj, Khayat kishte deklaruar se raportimet e saj kishin të bëjnë me ekspozimin e rrjedhjeve nga Tribunali Special.

“Ne kemi pranuar një listë me emrat e dëshmitarëve”, tha ajo.

Tribunali per Lebanonin

“Nuk ishim të sigurt me burimin, prandaj nuk e dija nëse janë të saktë. Kur u siguruam se ishin, mbuluam emrat dhe mbuluam fytyrat e tyre. Ne menduam se diçka duhej të bëhej për të stopuar rrjedhjet e informacionit nga gjykata”.

Prapë, përkundër këtyre pyetjeve që rrethojnë burimin e rrjedhjes së informacionit, gjykata kishte vendosur që të mos merrej me këtë pjesë fare, duke lënë kritiket me plotë pyetje pa përgjigje.

Pesë vjet më vonë, dhe një tjetër gjykatë e tillë në Hagë po shfaqë të njëjtat taktika të vjetra. Në shtator 2020, një person “me syze dielli, maskë dhe kapelë”, u fut në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës në Prishtinë dhe dorëzoi mbi 4000 dokumente që kishin të bënin me hetimet e Gjykatës Speciale të Kosovës për krimet e supozuara të luftës nga komandantët e UÇK-së.

Ishte hera e tretë në dy muaj që informacion i profilit të lartë nga hetuesit në mënyrë misterioze po shfaqej në publik.

Njëjtë si në rastin e gazetares Khyat, pranuesit e këtyre dokumenteve, i ndanë ato me mediat, pasi kishin redaktuar materialet komprometuese.

Zyrtarët e sigurisë pastaj duke operuar në emër të gjykatës vërshuan zyrën e veteranëve dhe vunë në pranga Hyseni Gucatin, kryetarin e veteranëve, dhe Nasim Haradinaj, zëvendësin e tij.

Joseph Adam Ereli

Po krimi cili ishte? Prokurorët kanë akuzuar Gucatin dhe Haradinajn me ndërhyrje në drejtësi dhe intimidim të dëshmitarëve. Pra një tjetër rast pothuajse identik me atë të Lebanonit, duke lënë kështu të hapura pyetjet se si dhe nga kush rrjedhën këto dokumente.

Kuti të dyshimta që shfaqen nëpër zyra nuk janë të vetmet parregullsi që rrethojnë këtë gjykatë Speciale në Hagë, e cila u themelua në vitin 2015 për të provuar krime, supozuar se janë kryer gjatë dhe vetëm pak pas luftës nga viti 1998 deri në vitin 2000.

Presidentja e Dhomave Speciale kishte bërë një përmbledhje për ambasadorët evropianë rreth akuzave për të akuzuarit para se ata të akuzoheshin. Aktakuza e Gjykatës për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi u zbulua para se gjyqtari paraprak t’i konfirmonte ato. Avokatët e mbrojtjes kanë akuzuar prokurorët se po e pengojnë përgatitjen e tyre për mbrojtje të dëshmitarëve duke mos i lëshuar provat.

Këto parregullsi vënë në pah një dobësi fondamentale të këtyre gjykatave “ad hoc” në Hagë.

Për shembull, procedurat ligjore në nivel kombëtar i nënshtrohen shkallëve të ndryshme të mbikëqyrjes gjyqësore. Kur ka sjellje të  pahijshme të prokurorisë, atëherë kjo përbën bazë për zbrazjen e aktgjykimeve në apel. Një rekurs i tillë nuk ekziston për të pandehurit në Kosovë.

Drejtësia duhet ta thotë të vetën për krimet e kryera gjatë përpjekjes së kosovarëve për pavarësi. Por, diçka e tillë s’mund të ndodhë nëse të akuzuarit mbahen aty me melo-drama të spiunazhit që njollosin Dhomat Speciale të Kosovës.

Veçse të shikuara me dyshime dhe armiqësi nga shumë veta në Kosovë, veprimet e Gjykatës deri më sot nuk po bëjnë gjë tjetër, pos që po shërbejnë në komprometimin e objektivitetit të gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore