Lajme

Ish të burgosurit e burgjeve ruse zbulojnë detaje të torturave seksuale


Ish të burgosurit e burgjeve ruse kanë folur për median shtetërore britanike “BBC”-në se janë përdhunuar dhe torturuar sistematikisht.

Pamjet e rrjedhura të një abuzimi të tillë u qarkulluan nga një person i brendshëm vitin e kaluar.

Tani, viktimat kanë treguar se pse ndodh ky fenomen dhe si po luftojnë për drejtësi.

Spitali i burgut të Saratov-it, në Rusinë jugperëndimore, erdhi në vëmendjen e publikut vitin e kaluar kur videot e abuzimit të tmerrshëm të të burgosurve u zbuluan nga një organizatë e të drejtave të njeriut.

Po ashtu u raportuan edhe nga media ndërkombëtare.

Alexei Makarov e dinte reputacionin e tij përpara se të transferohej atje në vitin 2018 si pjesë e një dënimi gjashtë-vjeçar.

Të burgosurit që dërgohen në Saratov nga burgjet e tjera në rajon janë ankuar se arsyet mjekësore ishin të sajuara në mënyrë që ata të mund të torturoheshin me dyer të mbyllura.

Burgjet ruse nuk kanë thuajse asnjë mbikëqyrje të pavarur. Kurse spitalet e burgjeve edhe më pak.

Makarov ishte vërtet i sëmurë dhe shpresonte se do të kursehej. Por ka treguar se është përdhunuar dy herë gjatë qëndrimit atje.

Si viktimat ashtu edhe ekspertët janë të mendimit se abuzimi sanksionohet gjithmonë nga autoritetet e burgut dhe përdoret për të shantazhuar të burgosurit.

Mirëpo, rrjedhjet e profilit të lartë të pamjeve kanë detyruar qeverinë ruse t’i përgjigjet skandalit.

Tortura u raportua në 90 për qind të rajoneve të Rusisë midis viteve 2015 dhe 2019. Por veprimi ka qenë i ngadaltë.

“BBC” ka analizuar mijëra dokumente gjyqësore që datojnë nga ajo periudhë dhe ka zbuluar se 41 anëtarë të shërbimit të burgut u dënuan në gjyqet më të rënda të abuzimit me të burgosurit.

Ama gjysma e tyre u dënuan vetëm me kusht.

Hera e parë që Makarov u torturua ishte në shkurt 2020.

Ai refuzoi të rrëfente një komplot të supozuar kundër administratës së burgut dhe tre burra e nënshtruan atë ndaj abuzimit seksual të vazhdueshëm.

“Për 10 minuta më rrahën, më grisën rrobat dhe, le të themi, dy orët e ardhshme më përdhunuan”, ka treguar ai.

“Kur më binte të fikët, më spërkatnin me ujë të ftohtë dhe më hidhnin përsëri në tavolinë”, ka shtuar.

Kjo i ndodhi sërish dy muaj më vonë.

Ai ishte detyruar të paguante 735 paund për sulmuesit e tij dhe ishte përdhunuar në një përpjekje për ta mbajtur të fshehtë këtë.

Makarov ka treguar se torturat e tij në burg ishin filmuar. Dhe se të burgosurit e dinë se pamjet poshtëruese mund të shpërndahen me të gjithë burgun nëse nuk përmbushin kërkesat.

Sakaq, përdhunuesit ishin të burgosur të tjerë, të cilët vepronin sipas udhëzimeve të bosëve të burgut.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore