Lajme

Ish-spiuni rus që i ka dhënë një tjetër goditje Moskës


“Rusia as që nuk e ka idenë. Ata nuk e kanë hiç idenë se ai është këtu”.

Kështu ka thënë Alexander Toots, kreu i kundërzbulimit estonez, duke iu referuar largimit të një spiuni rus në Estoni.

Por Artem Zinchenko nuk është thjesht një spiun.

Ka qenë agjenti i parë i inteligjencës ushtarake të Rusisë i arrestuar nga Estonia, në vitin 2017, më pas u këmbye në Moskë një vit më vonë për një shtetas estonez në paraburgim.

Tani, Zinchenko ka kërkuar azil nga vetë vendi i NATO-s që e demaskoi dhe e burgosi për spiunim.

Deri më tash, dezertimi i tij nuk është zbuluar publikisht nga asnjëra palë.një goditje poshtëruese kjo, jo vetëm për Kremlinin, por edhe për zotërinjtë e tij të dikurshëm në GRU.

Ngjashëm quhet ende shërbimi i inteligjencës ushtarake sovjetike.

Qeveria estoneze, bë fillim të tetorit, i ofroi “Yahoo News”-it qasje të paprecedentë për Zinchenko.

Gjatë katër orëve, ai ofroi autobiografinë e tij, reflektuese dhe të papenduar, duke detajuar rolin e tij mbështetës në lojën e hijeve midis spiunazhit rus dhe përpjekjeve perëndimore për ta penguar atë.

Dikur e pushtuar nga sovjetikët, Estonia e tanishme është në ballë të kundërshtimit të grumbullimit të inteligjencës ruse dhe provokimeve në tokën e NATO-s.

Vendimi i Zinchenko-s për t’u larguar ishte po aq i motivuar nga brutaliteti i Kremlinit brenda dhe jashtë vendit, sa ishte nga ajo që ai e shihte si humanizmin e Estonisë ndaj tij, një agjent armik.

Nga ana tjetër, historia e tij paralajmëruese është një padi ndaj politikave të presidentit rus Vladimir Putin, aparati i spiunazhit të të cilit është dobësuar në mes të luftës në Ukrainë.

GRU, dikur një agjenci tejet sekrete dhe efektive e spiunazhit, dekadën e kaluar është vënë nën një kontroll të shtuar ndërkombëtar për shkak të një sërë operacionesh të komprometuara ose të dështuara.

Kryesorja ndër këto është hakerimi dhe rrjedhja e emaileve të Partisë Demokratike përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës në SHBA dhe atentati i dështuar për vrasjen e Sergei Skripal-it, një tjetër dezertues nga radhët e saj, në Salisbury, Angli.

Tani thuhet se GRU ka marrë një zotërim më të fortë të fushatës së lëkundur, por të tmerrshme të Rusisë në Ukrainë, ku Zinchenko ka të afërm që luftojnë në vijën e frontit në emër të Kievit kundër zotërinjve të cilëve dikur u shërbeu.

Është pikërisht lufta, arsyeja pse ky spiun i GRU u largua nga Rusia.

“Nuk kemi pasur kurrë një rast si ky më parë, nuk mendoj se dikush ka”, ka thënë Toots. Dhe ka të drejtë.

Askush nuk ka pasur një rast të tillë më parë, të paktën aq sa dihet publikisht. Historia e epokës së Luftës së Ftohtë dhe pas saj është e mbushur me tregime të përpunuara, të pabesueshme, të dezertorëve dhe agjentëve të dyfishtë.

Ndoshta ndonjëherë edhe të spiunëve të trefishtë, spiunëve që punuan për një ose më shumë qeveri njëkohësisht për dashurinë, paratë ose për emocionin e thjeshtë të një jete të fshehur.

Ka nga ata që kanë akses në sekretet shtetërore, disa me vlerë të pamasë, që tradhtuan vendin e tyre për arsye ideologjike ose krejtësisht pragmatike.

Dhe tani ka një të parë, një spiun armik që u kthye te njerëzit që e kapën dhe e liruan.

Sipas Toots, shumë nga oficerët e shërbimeve sekrete ruse janë kundër luftës.

“Ata e konsiderojnë këtë si një krim kundër Rusisë dhe popullit rus. Ne do të jemi më se të kënaqur të ndërveprojmë me këdo tjetër që kërkon një vend të ri për të jetuar”, ka thënë ai.

Është një pikë e diskutueshme nëse Toots e ktheu atë në Moskë në mënyrë që ta lejonte të mblidhte informacione për Talinin nga brenda Rusisë.

Por si mund të jetë e sigurt KaPo, shërbimi estonez, nëse Zinchenko nuk është dërguar përsëri nga GRU?

“Gjithçka është e mundur në këtë linjë pune”. Por ai është i sigurt për mirëbesimin ndaj tij.

Në moshën 52-vjeçare, Toots u kualifikua si George Smiley i Estonisë, spiun veteran britanik i romancierit John le Carré, kulmi profesional i të cilit është shantazhi i armikut sovjetik, “Karla”, për të dezertuar.

Në 15 vitet e tij punë, të gjeturit e Toots-it kanë qenë agjentë të Moskës. Zinchenko ishte i dhjeti që ekspozoi në hapësirën e nëntë viteve.

Prej asaj kohe janë arrestuar pesë spiunë të GRU. Dhe do të ketë edhe të tjerë, gjithmonë do të ketë edhe më shumë.

Ashtu si Smiley, Toots futi në kurth një spiun rus që ishte një koleg dhe mik, një punonjës i KaPo që punonte fshehurazi për rusët.

Aleksei Dressen u arrestua teksa bashkë me gruan e tij, Victoria, ishin gati të hipnin në një avion nga aeroporti i Talinit për në Moskë.

Por ndryshe nga Smiley, Toots mund të ngatërrohet lehtësisht me një mësues gjimnazi në periferi. Ai ka një trup sportiv dhe nuk heq kurrë dorë nga bluzat polo.

Duket sikur nuk përfshihet kurrë nga emocionet. Në fakt, nëse do të ishte ndryshe do të merrej si një shpërfillje e detyrës dhe një fyerje ndaj mirësjelljes që u jep të gjithë anëtarëve të profesionit të tij moralisht të dyshimtë, nga cilado anë që ata janë.

“Situata e tmerrshme që ndodhi më 24 shkurt”. Kjo është edhe arsyeja pse Zinchenkon ndodhet tani në Estoni.

“Është skenari më i keq që mund të imagjinohej edhe në mendjen time, dhe nuk ishte vetëm për shkak se të afërmit e mi jetojnë atje, por për shkak të numrit të madh të viktimave të pafajshme”.

Si shumë rusë, ai ka anëtarë të familjes së gjerë që jetojnë në Ukrainë dhe luftojnë pushtimin rus.

Ai vendosi të largohej nga Rusia shumë përpara dekretit të 21 shtatorit.

Zinchenko është ai kombinim i çuditshëm karakteristik i një dëshpërimi që po rimëkëmbet teksa shtiret si i pamëshirshëm.

“Nuk jam i sigurt nëse ata ishin në gjendje të zbulonin dikë pasi filloi i ashtuquajturi operacion special ushtarak”, ka thënë ai, në mënyrë jo bindëse.

Kështu që nuk mendon se ata kishin planifikuar të kujdeseshin për të.

Ai mohon që KaPo ta ketë ndihmuar përtej kufirit.

Por kjo duket e pabesueshme. Nuk do të kishte rrezikuar një lëvizje kaq të rrezikshme, ose nuk do të kishte vënë në rrezik familjen e tij, nëse nuk do t’i jepeshin paraprakisht garanci të hekurta nga estonezët.

Sakaq, Zinchenko duket më i sinqertë kur thotë se e dinte se nuk mund të qëndronte në Rusi.

Pasi u kthye në shtëpi në vitin 2018, “gjithçka kishte ndryshuar në mënyrë dramatike” pasi presidenca autokratike e Putin-it kalcifikohej në një diktaturë nostalgjike dhe imperialiste pa pendim.

Çdo alternativë apo politikë opozitare mund të ketë vetëm një nga tre fatet: burgim, internim apo vrasje. Dhe ai ka përjetuar një nga këto në një vend shumë më liberal dhe që i bindet ligjit.

“E dini, para dhe gjatë procesit tim, pashë se ligji funksionon shumë më mirë këtu sesa në Rusi. Gjatë situatës sime, estonezët më thanë se nuk do të më shkatërronin jetën apo biznesin tim. Kjo ishte një garë mes shërbimeve të inteligjencës”.

Për Zinchenko-n, regjimi i Putin-it i ka “të gjitha aspektet e totalitarizmit”.

Ai e admiron Alexei Navalny-n, liderin e opozitës ruse tashmë të burgosur dhe ka qenë një ndjekës i zjarrtë i videove virale të tij që ekspozonin nivelet e vjedhjes dhe korrupsionit në Rusinë bashkëkohore.

Ai, gruaja dhe fëmijët, të gjithë morën pjesë në mitingje në qytetin e tyre të lindjes në Shën Petersburg në mbrojtje të Navalny-t vitin e kaluar.

Disidenti më i famshëm rus u arrestua në aeroportin Sheremetyevo në janar 2021 me mbërritjen nga Gjermania, ku kishte kaluar pesë muaj duke u rikuperuar nga një përpjekje kërcënuese për jetën për ta helmuar.

“Isha nervoz çdo mëngjes pas mitingjeve të Navalny-t sepse mendoja se do të më kapnin nga kamerat mediatike shtetërore me familjen time”.

Por kjo nuk i ndodhi kurrë.

Përkundrazi, ndodhi një luftë shkatërruese. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, madje edhe zhdukja e aftësisë për të marrë pjesë në mitingje kritike ndaj qeverisë ruse pa hakmarrje.

“Sigurisht, dua që Rusia të jetë pjesë e botës, por nuk shoh ndonjë të ardhme në këtë vend. Presidenti vendosi vetë të fillojë një luftë. Mendoj se disa institucione nuk duhet ta lejojnë atë ta bëjë këtë”.

Kështu, Zinchenko nisi të bënte përgatitje, të likuidonte asetet e tij dhe të shiste apartamentin e tij në Shën Petersburg. Gruaja dhe tre djemtë e tij u larguan paraprakisht dhe tani janë zhvendosur në Estoni.

Estonia është shtëpia e 1.3 milionë njerëzve dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet, duke dhuruar një të tretën e buxhetit të saj të mbrojtjes dhe 1% të PBB-së së saj në Kiev për ndihmë në siguri.

Së bashku me Letoninë dhe Lituaninë, Estonia u bashkua me NATO-n dhe Bashkimin Evropian në vitin 2004, kryesisht nga ankthi kolektiv i rrënjosur nga një pushtim brutal gjysmë shekullor nga Bashkimi Sovjetik, i cili aneksoi ilegalisht të tre shtetet baltike në vitin 1940.

Që nga rifitimi i pavarësisë në vitin 1991, Estonisë i është dashur të përballet me një mori kërcënimesh ruse të sigurisë, duke përfshirë një sulm të madh kibernetik në vitin 2007 që ndaloi qeverinë dhe shërbimet ekonomike të vendit për një kohë të shkurtër.

Plus kësaj është përballur edhe me një valë të pandërprerë spiunësh dhe agjentësh rusë provokatorë.

Pasi Putin-i pushtoi Gadishullin e Krimesë në vitin 2014, kërcënimi i afërt i një tjetër pushtimi rus të Estonisë rëndoi rëndë vendin.

Një e katërta e popullsisë së Estonisë janë rusë etnikë, besnikëria e të cilëve në rast pushtimi është vënë në pikëpyetje jo vetëm nga e djathta ekstreme ksenofobe, por edhe nga anëtarët e establishmentit politik liberal të vendit.

Planet keqdashëse të një fqinji shumë më të madh dhe ushtarakisht superior, preokupojnë pothuajse të gjitha burimet e sigurisë kombëtare të Talin-it.

Sidomos në kundërspiunazh, të drejtuar nga Toots, Estonia është dalluar brenda NATO-s.

Ishte viti 2009 kur Zinchenko u rekrutua.

Ai po përfundonte diplomën për ekonomi në Universitetin e Shën Petersburgut. Ai u përpoq të shmangte shërbimin e detyrueshëm ushtarak duke u regjistruar në klasa që do t’i lejonin të diplomohej si toger, një rrugëdalje që shumë studentë rusë e përdorën në atë kohë për të shmangur rekrutimin njëvjeçar.

“Duhet ta dini se në Rusi, në çdo universitet ka nga ata të lidhur me qeverinë, ka disa përfaqësues të shërbimeve që kërkojnë të rekrutojnë njerëz”, ka treguar Zinchenko.

Pas një prej klasave që mori, një burrë i gjatë që shikonte çdo centimetër oficerin ushtarak u prezantua si një mik i instruktorit.

Ndryshe nga KGB-ja Sovjetike, e cila u shpërbë në vitin 1991 dhe u rikonstituua më vonë si dy agjenci të veçanta të inteligjencës civile, GRU nuk pushoi kurrë së punuari.

E themeluar në vitin 1918 me nxitjen e Leon Trotsky, GRU dikur konsiderohej një agjenci spiunazhi shumë sekrete dhe efektive.

Ishte pas disa prej agjentëve më të njohur sovjetikë në SHBA dhe ishte inkubatori për disa nga dezertorët më me ndikim gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, në dekadën e fundit, GRU ka bërë vazhdimisht atë që asnjë agjenci sekrete nuk duhet ta bëjë: të kapet në flagrancë.

Ai është emëruar si fajtori në një sërë operacionesh kibernetike, duke përfshirë sulmet dobësuese kibernetike kundër Francës, Gjeorgjisë, Ukrainës dhe Lojërave Olimpike Dimërore 2018 në Korenë e Jugut.

Njësia GRU 74455, e identifikuar gjithashtu në operacionin “hack-and-leak” në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës në SHBA, ishte përgjegjëse për sulmin më të keq kibernetik në histori, infektimin me malware-in NotPetya.

Fillimisht kishte në shënjestër software-in ukrainas të kontabilitetit, por depërtoi me shpejtësi duke dëmtuar sistemet kompjuterike në të gjithë botën, duke përfshirë ato që i përkisnin gjigantit danez Maersk, kompanisë farmaceutike amerikane Merck dhe spitaleve deri në Kiev dhe Pensilvaninë perëndimore.

Çka shkaktoi më shumë se 10 miliardë dollarë dëme.

Po ashtu vrasësit e GRU-së kanë tentuar dhe kanë dështuar të vrasin njerëz me helm.

Zinchenko pretendon se nuk është në gjendje të mbajë mend emrin e rekrutuesit të tij spiun ose të dijë nëse ai ishte i vërtetë, sepse ka kaluar goxha kohë që atëherë.

Ai spiunoi Paldiski-n, një qytet garnizoni ku ishte vendosur Batalioni elitar i Estonisë, një njësi veterane e luftërave në Afganistan dhe Irak.

Spiunoi gjithashtu Vasalemma-n, ku ndodhet baza ajrore e NATO-s.

Ai mblodhi informacione për “lëvizjen e pajisjeve të Forcave të Mbrojtjes së Estonisë, Lidhjes së Mbrojtjes së Estonisë, si dhe objektet e përdorura për aktivitetet rregullatore të shtetit”, me sa duket objektet e policisë dhe rojes kufitare.

Spiunoi portet në një vend pa mungesë të tyre: dy në Paldiski në veriperëndim, një në Sillamäe në verilindje, porti kryesor i pasagjerëve në Talin.

Mori atë që duhet të ketë qenë informacion i lehtë për t’u marrë me burim të hapur mbi proceset ligjore të Estonisë: si të merrej shtetësia dhe lejet e qëndrimit, të cilat Zinchenko e dinte qartë se si ta bënte nga përvoja e dorës së parë.

Trajnerët e tij e udhëzuan të blinte telefona celularë dhe karta SIM në Estoni për qëllimet e punës operacionale të GRU-së.

Ata donin edhe literaturë teknike.

“Njerëzit që mendojnë të bëjnë një gjë të tillë nuk duhet ta mendojnë dy herë, por 10 herë. Unë jam me fat. Kam vetëm pesë vjet. Mund të kishte qenë shumë më keq”, ka thënë ai.

Edhe sot e kësaj dite ai pyet veten pse Kremlini ishte i gatshëm të bënte kaq shumë për ta kthyer atë në shtëpi. Në fund të fundit, ai nuk ishte superspiun. Ai ishte thjesht një fëmijë budalla, i dashuruar nga perspektiva për të bërë diçka për të parë vazhdimësinë e trashëgimisë së saj.

Por pse Moska e ktheu Zinchenko-n? Apo ndoshta ata donin të dinin më shumë se si ai u zbulua?

Marrë nga “Yahoo News”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore