Lajme

Ish-shefi i FATF-së: Përpjekjet për pastrimin e parave, të pamjaftueshme


“Përpjekjet për të luftuar pastrimin e parave janë të pamjaftueshme”.

Kështu është shprehur David Lewis, i cili pas gjashtë vitesh në krye të Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), ka dhënë dorëheqjen.

Gjatë një deklarate, ai u shpreh se rregulloret dhe gjobat për bankat nuk janë mënyra efektive për të trajtuar problemin.

“Bota nuk ka nevojë për më shumë rregullore dhe gjobitje bankash, nuk funksionon”, ka theksuar Lewis.

Ekspertët thonë se disa qeverive u mungon teknologjia për të kapur forma më të sofistikuara të keqbërjes.

Lewis ka akuzuar juridiksionet në nivel politik.

Sipas tij, ata nuk e kuptojnë plotësisht rëndësinë e trajtimit të pastrimit të parave.

“Qeveritë kanë nevojë për ndihmë praktike nëse duam të parandalojnë dhe zbulojnë në mënyrë më efektive pastrimin e parave”.

David Lewis
Task Forca e Veprimit Financiar (FATF)

FATF u themelua në 1990, për të ngritur politika rreth pastrimit të parave.

Pas fillimit të punës, FATF ka publikuar më shumë se 1 mijë raporte, ku përfshihen vlerësime të detajuara se si po ecin vendet individuale dhe standardet në fusha të reja si kriptovalutat.

Sipas një hulumtimi të Kroll-it, në udhëheqje të së cilës tani është Lewis, gjobat për bankat, që lejojnë paratë e paligjshme, janë rritur në më shumë se 2 miliardë dollarë nga viti 2019.

“Po bëhet më e vështirë të parandalosh pastrimin e parave”, tha një profesor i krimit financiar në Universitetin e Anglisë Perëndimore, Nicholas Ryder.

Aktualisht janë 23 vende në “listën gri” më të fundit të atyre që punojnë me FATF për të adresuar “mangësitë strategjike” në regjimet e tyre, për të frenuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Në këto shtete përfshihet Turqia, Malta dhe Ishujt Kajman.

Task Forca e Veprimit Financiar (FATF)

Nëse këto vende nuk e përmirësojnë pozitën e tyre, rrezikojnë t’i bashkohen Iranit dhe Koresë së Veriut në “listën e zezë” të FATF-së.

Një rast i tillë është edhe Mbretëria e Bashkuar. Më herët, ajo është lavdëruar nga FATF për sistemet e saj të sofistikuara kundër pastrimit të parave.

Me kalimin e kohës, MB ka pësuar dështime skandaloze. Banka Kombëtare Westminster (NatWest) nuk ka marrë në pyetje një klient, i cili u shfaq në një degë me kosh të mbushur me para.

Rritja e monedhave digjitale ka krijuar një mekanizëm të ri për ndërmarrjet kriminale që kërkojnë të zhvendosin paratë e gatshme.

Sipas një hulumtimi të publikuar këtë muaj nga një kompani e të dhënave, tregoi se një kripto rekord me vlerë 14 miliardë dollarë u dërgua në llogari me shoqata të njohura kriminale vitin e kaluar.

“Shumica e shteteve anëtare kanë miratuar legjislacionin dhe kanë krijuar korniza institucionale për të luftuar pastrimin e parave, por ende nuk janë në gjendje të demonstrojnë rezultate të kënaqshme për numrin e dënimeve dhe pasurive të rikuperuara”, ka thënë Sekretari ekzekutiv i Moneyval, Igor Nebyvaev.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore