Aplikacione

Ish-punonjësja e Facebook-ut: Fitimet e kompanisë vihen mbi të mirën publike


Një ish-punonjëse e platformës Facebook e ka akuzuar kompaninë se ka vënë fitim mbi të mirën publike, pasi doli si denoncuesja që zbuloi një sasi dokumentesh të brendshëm që e kanë vendosur firmën e teknologjisë në krizë.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se 37-vjeçarja Frances Haugen ka thënë se në mijëra dokumente që kishte mbledhur dhe ndarë me zbatuesin amerikan të ligjit, kompania kishte dal keq.

Referuar këtyre dokumenteve, kompania po gënjente publikun se po bënte përparim të rëndësishëm kundër gjuhës së urrejtjes, dhunës dhe dezinformimit.

“Gjëja që pashë vazhdimisht në Facebook ishte se kishte konflikte interesi midis asaj që ishte e mirë për publikun dhe asaj që ishte e mirë për Facebook-un. Dhe Facebook-u, pa pushim, zgjodhi të optimizohej për interesat e veta, si të fitonte më shumë para”, ka thënë ajo.

Gjithashtu Haugen ka sqaruar edhe vendimin e saj për të folur në lidhje me funksionimin e brendshëm të Facebook-ut, duke thënë se ishte alarmuar nga ajo që ajo i perceptonte si politikat e kompanisë, të cilat i jepnin përparësi fitimit mbi sigurinë publike.

“Versioni i Facebook-ut që ekziston sot po copëton shoqëritë tona dhe po shkakton dhunë etnike në të gjithë botën”, ka dalluar ajo.

Haugen ka rrëfyer se u bashkua me kompaninë në vitin 2019 si menaxhere produktesh në ekipin e integritetit qytetar, i cili u përqendrua në çështjet që lidhen me zgjedhjet në mbarë botën.

Kjo pasi kaloi më shumë se një dekadë duke punuar në industrinë e teknologjisë, përfshirë Pinterest-in dhe Google-in.

Haugen ka treguar se shumë shpejt nisi të ndjente se Facebook-u nuk ishte i gatshëm të ndërmerrte veprimet e nevojshme për të adresuar këto çështje edhe pse i kishte mjetet.

Kështu, ajo u largua nga kompania në maj të këtij viti.

“Askush në Facebook nuk është keqdashës”, ka thënë ajo.

Për sa i përket Mark Zuckerberg, themeluesin dhe shefin ekzekutiv të Facebook-ut, “ai kurrë nuk ka vendosur të krijojë një platformë urrejtjeje”, por efektet e zgjedhjeve të kompanisë kanë qenë të rënda, ka thënë ish-punonjësja.

Sipas saj, kompania vërtetoi se mund të bënte më shumë për të adresuar këto probleme kur ndryshoi politikat e përmbajtjes për disa javë rreth zgjedhjeve amerikane të vitit 2020, duke shtuar se kompania i dha qëllimisht një përparësi më të ulët përmbajtjes politike në burimin e saj të lajmeve.

Mirëpo, platforma u kthye shpejt në algoritmet e vjetra që vlerësonin angazhimin mbi gjithçka tjetër.

“Sapo mbaruan zgjedhjet, ekipet i ndryshuan cilësimet përsëri në atë që ishin më parë, për t’i dhënë përparësi rritjes mbi sigurinë. Dhe kjo me të vërtetë ndjehet si një tradhti ndaj demokracisë”, ka vijuar ajo.

Duke iu referuar ndryshimit të algoritmit, Haugen ka shtuar se “kompania e ka kuptuar që nëse e ndryshojnë algoritmin për të qenë më të sigurt, njerëzit do të kalojnë më pak kohë në faqe, do të klikojnë në më pak reklama dhe Facebook-u do të bëjë më pak para”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore