Lajme

Reka: BE-ja t’i heqë Serbisë trajtimin përkëdhelës


Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka.

Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, për kërkesën e senatorëve amerikanë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përcaktim të qartë për Bashkimin Evropian dhe jo me Rusinë, ka thënë se të njejtën gjë ia kishte kërkuar më herët Beogradit dhe Brukselit.

Sipas tij, tani do të testohet kredibiliteti i Bashkimit Evropian, se sa do të zbatojë këtë kondicionalitet edhe ndaj Serbisë.

“Jetësimi i tij strikt, do të kërkoj që BE-ja të ndërpres negociatat anëtarësuese me Serbinë, sepse ajo nuk e përfillë politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, nuk i zbaton sanksionet kundër Rusisë dhe vazhdon të armatoset nga Rusia dhe Kina”.

“Këto janë dëshmi të mjaftueshme për BE-në, që t’i heqë Serbisë trajtimin e gjertanishëm përkëdhelës krahasuar me pesë shtetet e tjera të Ballkanit”, ka shkruar Reka në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka thënë se lojës shumëvjeçare të Serbisë: “edhe Rusi edhe BE” i doli boja.

Reka, shprehet se “qëndrimi në dy karrige më nuk kalon, as në Bruksel e as në Uashington”.

Parlamenti Evropian.

Ndryshe, pesë deputetë të Parlamentit Evropian – Reinhard Butikofer, Viola von Cramon, Romeo Franz, Thomas Weitz dhe Tineke Strick nga radhët e të Gjelbërve këtë të marte të 19 prillit, i kanë dërguar një letër përfaqësuesit të lartë për politikat e Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, duke e shprehur shqetësimin e tyre për armatosjen e Serbisë me raketa nga Kina.

Sipas letrës të cilën e ka siguruar H1, ata kanë thënë se “për shkak të qëndrimit të Serbisë ndaj Kinës, dyshojnë se Beogradi është sinqerisht i interesuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Raportet theksojnë se dorëzimi ushtarak kinez – një sistem raketash tokë-ajër, është i krahasueshëm me sistemin amerikan Patriot.

“Vendimi strategjik për të blerë këtë sistem dhe për ta dorëzuar atë në mes të krizës më serioze të sigurisë në Evropë ngre pyetje shumë të rëndësishme dhe serioze nëse Serbia e dëshiron vërtet integrimin politik në BE dhe për cilat qëllime ushtarake i duhet një sistem i tillë sepse është i rrethuar gjeografikisht nga vendet e BE-së dhe NATO-s”, thuhet në letrën e deputetëve.

Deputetët i kërkojnë Borell-it që urgjentisht ta diskutojë këtë me qeverinë serbe në Këshillin e ardhshëm të Punëve të Jashtme, “veçanërisht për qëllimet ushtarake serbe” dhe të ketë bisedime të sinqerta dhe të drejtpërdrejta me presidentin e rizgjedhur Aleksandër Vuçiç për afatet afatshkurtra dhe afatmesme të Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore