Sport

Ish-legjendat e Real Madrid-it përkrahin Benzema-n për Topin e Artë


“Karim Benzema meriton Topin e Artë”, kështu mendojnë edhe dy ikonat e Real Madrid-it, Zinedine Zidane dhe Luis Figo.

Ish-trajneri i Real-it, Zidane, në një intervistë të dhënë për mediat franceze, ka thënë se Benzema është më meritori për të fituar Topin e Artë.

“Benzema meriton këtë herë që të fitojë Topin e Artë. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, pata nderin e madh ta stërvit”, tha fillimisht Zidane.

Zidane më tutje vazhdoi, duke lavdëruar performancat e Benzema-s në këtë sezon, si dhe duke thënë se nëse do të pyetej ai, Benzemna këtë herë duhet të fitojë Topin e Artë.

“Benzema di të bëjë gjithçka në fushë. Ai është mbi të gjithë për momentin dhe shpresoj se mund të shpërblehet me këtë Top të Artë. Është në një moment të jashtëzakonshëm dhe po të ishte në dorën time do t’ia jepja Topin e Artë”, shtoi Zinedine Zidane.

Kujtojmë që Benzema ishte lojtari i preferuar i ish-trajnerit Zidane, në kohën kur ishte trajner i Real Madrid-it.

Gjithashtu edhe një tjetër ikonë e Real Madrid-it, Luis Figo, mendon se këtë herë topi i Artë duhet të shkojë në duar të Karim Benzema-s.

“Pak nga pak, Benzema po tregon potencialin e tij. Mendoj se ai e meriton plotësisht Topin e Artë”, tha fillimisht portugezi Figo.

“Unë nuk e shoh këtë trofe si diçka që shpërblen një sezon, por si diçka që vërteton të gjithë karrierën. Çfarëdo që ai ka arritur, ai e meriton atë”, shtoi më tutje Luis Figo.

Kujtojmë që Luis Figo kishte luajtur për pesë vite me fanellën e Real-it, gjatë sezoneve 2000 deri më 2005, ku që në sezonin e parë me mbretërit, arriti të fitojë Topin e Artë.

Ceremonia e dhënies së Topit të Artë, këtë vit do të mbahet më 29 nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore