Lajme

Ish-kryetari i Kamenicës flet për Albanian Post: E ndihmova VV-në sepse Kastrati na injoroi


Ish-kryetari i komunës së Kamenicës nga radhët e PDK-së, Begzad Sinani.

Ish-kryetari i Kamenicës dhe anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Begzad Sinani, ka thënë se në balotazhin e mbajtur në komunën e Kamenicës më 14 nëntor, publikisht ka mbështetur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj.

“Kam mbështetur plotësisht hapur e pa hezitim, kam pranuar hapur ftesën për bashkëpunim dhe mbështetje që ka ofruar kandidati z. Kadri Rahimaj dhe kryetari i pikës së degës së Vetëvendosjes në Kamenicë z.Bajram Mavriqi”, deklaroi Sinani për Albanian Post.

Kjo pasi “Z. Qëndron Kastrati ka injoruar elitën intelektuale të Kamenicës”.

Sinani, deklaroi se ish-kryetari i Kamenicës Qëndron Kastrati ka lënë anash të gjithë ata që e kanë mbështetur për të u bërë kryetar i kësaj komune.

“Në fillim la anash dhe injoroi njerëzit me përvojë që e ndihmuan të bëhej kryetar, e që njëri ndër ata isha edhe unë që më 2017 e kam mbështetur fuqishëm”.

Tutje, përmend disa nga arsyejet pse Kastrati ka zhgënjyer komunën e Kamenicës.

“Emroi shef të administratës së përgjithshme Nol Nushin në Kamenicë, emëroi një rom me përgatitje shkollore të mesme të infermierisë me programe serbe të kryer në Ranillug”.

Ish kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

“Asnjë projekt kapital të filluar dhe të përfunduar brenda qeverisë së mandatit katër vjeçar”

Ish kryetari i Kamenicës, Sinani, konsideron se udhëheqja e Kastratit ka qenë fyerje për banorët e Kamenicës.

“Me një fjalë fyu dhe injoroi inteligjencën intelektuale të të rinjëve të komunës sonë”.

Vendim të gabuar e konsideroi edhe mbylljen e shkollave në disa fshatra të Kamenicës.

“Mbyllja e shkollave në gjuhën shqipe në fshatrat dhe vendbanimet me popullatë të konsiderueshme në mënyrë arbitrare ishte thjesht shprehja dhe veprimi i papërgjegjshëm i kryetarit Qëndron Kastratit”.

Sipas Rahimaj, “karakteri i tijë, arroganca e mendjemadhësia e bënë që ne t’i dukemi njerëz naiv e të prapambetur”.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajt në Kosovë me 14 nëntor, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Kadri Rahimaj doli fitues në garë kundër Qëndron Kastratit nga radhët e Partisë Socialdemokrate.

Rahimaj morri 8 mijë e 40 vota ose 53,11 për qind, ndërsa Kastrati arriti të marrë 7 mijë e 98 vota ose 46,89 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore