Shqipëria

Ish-kryebashkiaku i Vorës kapet me drogë në Itali, sipas mediave


Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku ka përfunduar në prangat e karabinierëve italianë.

Kjo, pasi kishte me vete 20 kilogramë kokainë.

Kajmaku është arrestuar më datën 27 maj në një operacion antidrogë të zhvilluar në zonën e San Benedeto del Tronto-s në Itali, sipas mediave.

Policia e Shtetit në Itali nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment të Albanian Post.

Ish-kryebashkiaku shqiptar ishte nën vëzhgim të rreptë nga ana e autoriteteve italiane.

Policia italiane, shkruajnë mediat, ka montuar kamera në disa akse dhe banesa në lagjen ku kryheshin bisedat dhe takimet për trafikun e drogës.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me shtetasin Agim Kajmaku, i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit.

Emri i Kajmakut daton në zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Asokohe, ato u zhvilluan vetëm me një parti pasi opozita vendosi të bojkotojë procesin.

Kajmaku garoi për postin e kryebashkiakut të Vorës ku do të fitonte këtë post në një garë pa rival.

Partia Demokratike zbuloi se ai kishte qenë i dënuar në Greqi për falsifikim parash dhe e denoncoi menjëherë këtë fakt.

Kjo, pasi Kajmaku duhet ta kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe menjëherë Policia e shpalli në kërkim.

Pasi qëndroi 8 muaj në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore.

Por një ditë pas arrestimit, në 8 korrik të vitit 2020 Gjykata e Apelit liron ish-kryebashkiakun e Vorës.

Apeli caktoi më pas masën ‘detyrim paraqitje’ për Kajmakun pasi vetë Prokuroria e Përgjithshme kërkoi zbutjen e masës së sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore