Kosova

Ish-konsulli i Kosovës në New York: Ministrja Gërvalla kërkoi largimin e flamurit të UÇK-së nga zyra


Ish-konsulli i Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, të cilit i është ndërprerë kontrata e punës me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë se vendimi i MPJ-së për heqjen e tij nga Shërbimi i Jashtëm, “bazohet në urrejtje dhe në paranoja”.

Krasniqi në një shkrim të tij në Facebook ka shkruar se ministrja Gërvalla e kishte urdhëruar që ta largonin flamurin e UÇK-së nga Konsullata.

“Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në SHBA, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës”, ka shkruar Krasniqi.

Lulzim Krasniqi

Ai ka theksuar se me largimin e tij, flamuri mund të largohet, por “luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve”.

Krasniqi i ka dërguar edhe një letër ministres Gërvalla, të cilën e ka akuzuar se me vendimin për shkarkimin e tij sapo ka mbyll të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork për shtetasit e Republikës së Kosovës.

“Me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Republika e Kosovës do të ketë edhe implikime financiare. Unë kam lidhur kontratë njëvjeçare me menaxhmentin e ndërtesës ku jetoj me qira, në nëntor të vitit të kaluar, gjithnjë me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm, për çka Republika e Kosovës e ka për obligim ta respektojë këtë kontratë-të paguajë qiranë deri atëherë në një banesë ku nuk jeton asnjeri. Në të kundërtën, mosrespektimi i saj është i dënueshëm sipas ligjeve të SHBA-së”, thuhet letrën e Krasniqit drejtuar Gërvallës.

Koha kur Donika Gërvalla tregonte se ka dërguar dosje në Gjykatën Speciale kundër krerëve të UÇK-së

Ministrja aktuale e Punëve të Jashtme të Kosovës, në emisionin Info Box në Radio Televizionin Dukagjini, vite më parë kishte deklaruar se ka dosje të tëra që i ka mbledhur dhe i ka dërguar në Gjykatën Speciale, e cila akuzon strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Unë kam dëshmi madje me shkrim, në zarfe të mbyllura të cilat i janë paraqitur organeve të ndryshme. I kam personalisht në shtëpinë time në Bon”, tregon ajo.

Donika Gërvalla

Ndërsa në qershor të vitit të kaluar, Gërvalla në një intervistë dhënë NZZ, ka kërkuar që vrasjet e pasluftës të hetohen, derisa në tekst thuhet se vrasjet ndodhën pas tërheqjes së trupave serbe dhe se “vrasjet u kryen kryesisht nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Viktimat ishin kundërshtarë serbë, romë dhe shqiptarë të UÇK-së. Disa ish-komandantë janë në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë”, vazhdon teksti i shkruar nga gazetari, Andreas Reich.

Gërvalla pati thënë se “së bashku me të tjerët, unë kam kërkuar vazhdimisht që vrasjet politike pas përfundimit të luftës të hetohen plotësisht”.

“Ne kemi nevojë për këtë, për procesin e brendshëm të shërimit të shoqërisë sonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore