Film

Ish-Kinostudio do të transformohet në park arti


Ministrja e Arsimit, Elva Margariti, prezantoi për emisionin Ora e Tiranës, projektin e trasformimit të zonës së Ish-Kinostudios, në park arti.

Ministrja u shpreh se qëllimi i këtij projekti është krijimi i një parku për komunitetin ku përfshihet lagja përreth dhe artistët.

“Duam që hapsirat e gjelbërta të kthehen në ishuj të vegjël në dispozicion të komunitetit dhe kemi menduar për një hangar arti që do të funksjonojë për aktivitetet nga aktorë të skenës”, tha ajo.

Projekti do të përfshijë muzeun e filmit ku nuk do të mungojnë foto nga skena të ndryshme të filmave, makinat retro dhe një pjesë e kostumeve si vlerë e historisë artizanale.

Përsa i përket infrastrukturës, Margariti theksoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës në këtë projekt “interajonal”, siç e quajti ajo.

“Kemi bashkëpunuar me ta që të mos ketë një fluks të shtuar të makinave, për të hapur sa më shumë hapsira këmbësorësh”, tha ministrja.

Ajo prezantoi edhe qendrën e restauruar të digjitalizimit të pasurive kulturore. Sipas idesë së saj, hapsira nuk do të jetë vetëm në shërbim të administratës por dhe shkollë formimi për të rinjte.

 “Kjo është si si shkollë formimi për ta, në mënyrë që të mësojnë si fotografohet, si digjitalizohet, si plotësohet një inventar, që janë profesione në fund të ditës. Unë e shoh me rëndësi trinomin “ministri, digjitale, të rinjtë”, për të ardhmen e tyre”, u shpreh Margariti.

Ajo komunikoi se afati i përfundimit të projektit do të jetë viti 2022, duke shtuar se ndryshimet e para të prekshme do të vërehen brenda 2021-shit./AlbanianPost.com

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore