Kosova

Ish-këshilltari i Thaçit: SHBA-ja dhe BE-ja ishin në dijeni për aktakuzën e Speciales – “thikat mbi harta” për konsum politik


“Ishim në aeroplan kur Grenell na dërgoi mesazh se ndaj Thaçit është ngritur aktakuzë. Ata e kanë ditur se do të ndodhë një gjë e tillë ndaj tij”, ka thënë ish-shefi i kabinetit të ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, në një intervistë në Klan Kosova.

Bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit Thaçi, është shprehur se mendon që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kishin informacione se Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës ndaj të parit të shtetit në atë kohë do të vendoste aktakuzë.

Sipas tij, superfuqitë botërore kanë peshë në gjithçka duke përfshirë edhe proceset e tilla si ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit.

Ai madje thotë se “ne kishim sinjale, gjithmonë kemi qenë të informuar, detyra jonë në çfarë pozite ishim ishte që të kemi informacione për çdo gjë që po ndodhte në arenën ndërkombëtare”.

“Në këto rrethana Shtëpia e Bardhë dhe BE-ja nuk besoj se ka qenë në mungesë të informacionit se çfarë po ndodh”, ka thënë Çollaku.

“Publikimi i aktakuzës nga Prokuroria Speciale për procedimin e aktakuzës për presidentin, në një farë mënyre nuk ishte krejtësisht i papritur, ne sikur e ndjenim se një gjë e tillë do të vinte. Sepse kishte shumë probleme në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Ai shtoi se “ende ishim të përcaktuar të vazhdonim me ngulm në punën tonë për aq kohë se ajo aktakuzë nuk do të ngritej”.

“Sepse ende mendonim se mund të ketë një lajthitje, mund të ketë kalkulime brenda Gjykatës, në fund të ditës superfuqitë në botë kanë peshë në gjithçka duke përfshirë proceset e tilla, që bëhen në raport me vendet e tjera që nuk kanë arritur ende të bëjnë diçka”.

“Superfuqitë mund të ndikojë edhe në Gjykata, ata kanë ndikuar edhe në këtë rast, kurdo herë. Mendoj se marrëdhëniet midis SHBA-së dhe BE-së si dhe lufta e brendshme në SHBA kanë pasë reflektimet e tyre edhe në këtë gjykatë. Unë e kam ndjerë një shije jo të mirë nga ajo si i kam parë unë zhvillimet e tërësishme”.

Çollaku ka thënë se “po të donte ish-presidenti Thaçi që në atë kohë ka qenë kryetar i PDK-së sigurisht se një gjykatë e tillë nuk do të votohej”.

“Nuk ka pasë frikë askush nga votimi i kësaj gjykate”.

“Arsyeja e vetme pse ish-presidenti Hashim Thaçi dhe gjithë elita politike në Kosovë e kanë votuar këtë gjykatë është se të gjithë kanë qenë të bindur se nuk ka asnjë dëshmi ose pretendim që mund të vërtetohet lidhur me trillimet e Dick Martyt dhe raportit të tij”, ka shtuar ai.

“Askush në atë kohë nuk e ka menduar që kjo gjykatë do të shndërrohet në një mekanizëm krejtësisht tjetër i cili në emër të gjoja drejtësisë do të persekutojë në mënyrë politike figurat më të larta shtetërorë të shtetit të Kosovës”.
“Zanafilla e gjithë këtij procesi është me plan të Serbisë dhe Rusisë”.

“Gjykata Speciale dhe aktakuzat e ngritura ndaj Hashim Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK-së janë bërë me plan të këtyre dy vendeve që janë kundër Pavarësisë së Kosovës”.

Çollaku potencoi se “Presidenti Hashim Thaçi ka mundur të mos japë dorëheqje, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore që ia imponon një zyrtari të shtetit këtë pas ngritjes së një aktakuze”.

“Ai e ka konsideruar si të vonuar dorëheqjen e tij duke e llogaritur se duhej të jepte dorëheqje në momentin kur kishte marrë ftesën e parë nga kjo gjykatë për t’u intervistuar. Ai e ka vendosur interesin shtetëror përpara duke dhënë dorëheqje për të mos i dëmtuar institucionet e Kosovës”.

Ai gjatë kësaj interviste ka folur edhe për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në ëashington mes Kosovës dhe Serbisë.

“Deklaratat e Albin Kurtit në atë kohë për “Thikat mbi harta” nuk dolën të jenë asgjë më shumë sesa për konsum politik”.

“Edhe vet koha e tregoj që gjitha këto deklarata nuk dolën të jenë asgjë më shumë se deklarata të thata për konsum të brendshëm politik, sepse thika mbi hartë e sidomos në Shtëpinë e Bardhë, thikat mbi hartë dhe gjërat e këqija nuk gatuhen në Shtëpinë e Bardhë për Kosovën”.

“Ky ka qenë një proces i mirëpërgatitur nga Shtëpia e Bardhë me vëmendjen më të lartë nga presidenti Trump në atë kohë dhe ambasadori Grenell dhe më vjen mirë që përkundër kësaj që ndodhi me presidentin Thaçi dhe të tjerët edhe përkundër këtij dëmi që i është shkaktuar Kosovës, prapëseprapë një marrëveshje e tillë në rrethana të tilla u punua gjatë, u arrit dhe shpresoj që e njëjta të zbatohet edhe në praktikë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore