Kosova

Ish Gjyqtari i EULEX-it Malcolm Simmons: Liria e Kosovës në rrezik, shpëtojeni nga padrejtësitë e BE-së


Gjykatësi britanik, Malcolm Simmons, përmes një analize të publikuar në “The Washington Times”, ka thënë se Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), dhe gjykatësit e Dhomave të Specializuara të vendeve të ndryshme të Bashkimit Evropian, duhet të ndalen.

Ai ka thënë se “gjithçka në lidhje me EULEX dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, tregon se BE-ja nuk është një peshë e rëndë globale për administrimin e qeverisjes së mirë ndërkombëtare”.

Sipas tij, realiteti i politikës së BE-së ndaj Kosovës, “ku janë shpenzuar miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë, është i rrezikshëm”.

“SHBA-të dikur e kanë ndihmuar Kosovën që ta shpëtojë dhe ta çlirojë nga spastruesit serbë. Ndërsa tani kur liria e tyre kërcënohet përsëri, kësaj here nga evropianët, pastrues të demokracisë, është koha që Amerika t’i detyrojë evropianët që të ndalojnë, sepse liria e Kosovës është në rrezik”, ka thënë Simmons.

Analiza e plotë e ish-shefit të Gjykatësve të EULEX-it e publikuar në “The Washington Times”:

Imagjinoni që SHBA-të, ndihmuan në krijimin e një vendi të ri demokratik në zemër të Evropës, duke i çliruar njerëzit e saj nga fqinjët gjenocidalë, vetëm që BE të marrë përsipër misionin “ndërtimi i vendit” dhe ta përdorë atë për të përmbysur udhëheqjen e tij të zgjedhur.

Imagjinoni se gjyqtarët e financuar nga BE-ja u vendosën brenda sistemit të drejtësisë të këtij vendi për t’ua “prerë kokën” ligjvënësve të tij demokratikë, duke përfshirë edhe ish-presidentin e Kosovës, të cilin presidenti Biden e përshkroi si “George Washington” i vendit.

Imagjinoni se vendosmëria e BE-së për të arritur këtë qëllim shkoi deri te manipulimi i dëshmitarëve për të dhënë “prova të rreme”.

Ky është një realitet i rrezikshëm i politikës së BE-së ndaj Kosovës, ku për 12 vitet e fundit, miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë janë shpenzuar për ndihmë ushtarake dhe mbështetje të sigurisë.

EULEX-i, në vend që të përmisojë qeverisjen, ka dëmtuar administrimin e drejtësisë dhe ka injoruar të drejtën e të pandehurve për një gjykim të drejtë.

Përmisimi i sundimit të ligjit në një vend që ka dalë nga tmerret e luftës, ishte gjithmonë qëllim politik sepse BE-ja nuk kishte pasur kurrë për qëllim “ndërtimin e kombit”, dhe Kosova ishte mënyra e vetme që BE-ja ta paraqiste veten si një superfuqi globale për të rivalizuar SHBA-të.

Duke ofruar “rezultate”, pavarësisht metodave, Evropa mund të demonstrojë statusin e saj të “fuqisë së madhe”. Suksesi i EULEX-it dhe i Dhomave të Specializuara do të përcaktoheshin nga numri i dënimeve. Në të vërtetë, BE-ja nuk kërkoi asgjë më pak.

Gjyqtarët e 27 vendeve anëtare të BE-së, u mblodhën për të dhënë mandatin, ku vendet komuniste të Evropës Lindore ishin të preferuarat.

Ata të gjithë donin që ky proces të vazhdonte për aq kohë sa ishte e mundur dhe shumica ishin të përgatitur të bënin gjithçka që duhej për të siguruar që ata të ruanin pozicionin e tyre.

Fakti se gjyqtarët që vijnë nga vendet e varfra, për të dhënë rezultate nën presion të madh politik, ka edhe pasoja.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se gjyqtarët e EULEX-it u kishin mohuar të pandehurve të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë. Një mision i BE-së i “sundimit të ligjit mohon të drejtën për një gjykim të drejtë?” A mund të bëhet edhe më e përdredhur se kaq? Mundet!

Tutje Simmons ka treguar se kur ai bashkë me profesionistët e tjerë ligjorë të kualifikuar u bënë sinjalizues kundër korrupsionit dhe keqpërdorimeve në EULEX, u akuzuan.

Por, më e keqja është se derisa Kosova dhe Serbia ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshje paqeje në Washington, BE-ja u tërhoq.

Kështu për të parandaluar ‘çmimin’ e tyre të madh, ata qëllimisht nxituan me akuzat për krime kundër njerëzimit kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, (madje duke thyer rregullat e gjykatës së tyre përmes këtij veprimi), duke e ndaluar atë të fluturojë në SHBA dhe gati duke prishur tërë marrëveshjen e paqes.

Kurse të pandehurit e tjerë, tashmë të paraqitur përpara gjykatës, janë atje në mënyrë të paqartë për pranimin e dokumenteve të zbuluara nga gjykata e financuar nga BE-ja, ndërsa nuk zhvillohet asnjë hetim se kush i nxori dokumentet ose pse u nxorën ato.

Është e qartë se BE-ja nuk mund të shohë perversitetin e veprimeve të tyre, kur ‘turbullohet’ nga një logjikë e Niksonit: “Kur BE-ja e bën atë, kjo do të thotë se nuk është e paligjshme”. Ata besojnë se duhet të ushtrojnë të drejtën për të mësuar të tjerët sesi të sillen, me çdo mjet të nevojshëm, nëse do të konsiderohen një superfuqi.

Gjykatësi Malcolm Simmons shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017 duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar.

“Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës. Ai shërbeu si president i Gjykatësve Ndërkombëtarë të BE-së nga 2014 në 2017”, shkruan gazeta amerikane “The Washington Times”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore