Lajme

Ish-gjyqtari i EULEX-it i reagon shefit të këtij misioni: Është turp që ju nuk e kuptoni sundimin e ligjit në Kosovë


Ish-gjyqtari i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Malcolm Simmons, ka reaguar pas takimit të shefit të këtij misioni, Lars Gunnar Wigemark, me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Simmons duke iu drejtuar Wigemark, ka thënë se përderisa presidentja Osmani dhe institucionet e reja të Kosovës mund ta kuptojnë sundimin e ligjit në Kosovë, është një trup që EULEX-i nuk e kupton atë.

“Unë s’kam dyshim që Qeveria e re e Kosovës dhe Vjosa Osmani e kuptojnë shtetin e së drejtës, Lars-Gunnar Wigemark. Është vetëm turp që EULEX-i dhe BE-ja s’e kuptojnë”, ka shkruar Simmons në Twitter.

Ky reagim ka ardhur pasi që Wigemark në postimin e tij në Twitter ku ka komentuar takimin me Osmanin, ka thënë se asaj nuk ka nevojë t’i shpjegohet rëndësia e sundimit të ligjit.

“Presidentja Osmani, e cila është një avokate e mirë nuk ka nevojë të shpjegojë rëndësinë e sundimit të ligjit për presidentin, ajo e kupton se çfarë nevojitet dhe e ka bërë atë një nga përparësitë e saj kryesore”, ka shkruar Wigemark.

Ndërkohë më 12 prill, Osmani zhvilloi një takim me Wigemark, nga i cili mori edhe urimet për detyrën.

Sipas komunikatës për media nga Presidenca e Kosovës, thuhet se në atë takim është diskutuar për aspektet e përgjithshme të zhvillimeve politike dhe u vlerësua pozitivisht përmbyllja e suksesshme e konstituimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Të dy bashkëbiseduesit u shprehën të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet të të dy institucioneve, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, rendit dhe personave të pagjetur”, thuhej në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore