Lajme

Ish-gjenerali i KFOR-it i kënaqur me përparimin e policisë dhe FSK-së – “përparim i dukshëm në sektorin e sigurisë”


Ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Buhler

Ish-gjenerali i NATO-s, Erhard Buhler, ka thënë se është shumë i kënaqur me mënyrën se si ka progresuar sektori i sigurisë në Kosovë, derisa ka folur për policinë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në një intervistë për Deutsche Welle-n.

Ai ka marr shembull profesionalizimin e Policisë së Kosovës të treguar gjatë aksioni në veri, si shenjë e përparimit të madh të kësaj force.

“Në Kosovë, shoh përparim të dukshëm në sektorin e sigurisë. Unë jam gjithmonë i lumtur kur shkoj në Kosovë dhe shoh se çfarë mund të bëjnë policët në të vërtetë. Kjo u pa gjatë verës së shkuar, gjatë operacionit policor për zbatimin e ligjit në veri”, tha Buhler.

“Në një rrugë tepër të suksesshme deri më tani ka hyrë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Nga ana ushtarake, shoh më pak sfida për të ardhmen”.

Ndryshe nga ndjenja e mirë që i ngjallë përparmi i institucioneve të sigurisë në Kosovë, Buhler ka thënë se e shqetëson shumë “retorika nacionaliste në Ballkanin Perëndimor”, e cila “nuk po zvogëlohet, por po rritet”.

“E kam fjalën kryesisht për ata që kërcënojnë se do të përdorin forcat e armatosura ose që duan t’i nxjerrin forcat e armatosura nga Federata, si dëgjohet në Bosnjë -Hercegovinë të nxitur nga disa politikanë nga Serbia”, deklaroi Buhler, duke marrë shkas edhe rastin e fundit kur parakaluan në shesh ushtarakë të Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Mendoj se palët bëjnë mirë të ulen dhe të bisedojnë si kanë punuar politikanët këtu në Evropën Qendrore pas Luftës së Dytë Botërore, dhe të nënvizojnë pajtimin dhe jo idetë nacionaliste”.

Takimi përshëndetës mes Hashim Thaçit e Erhard Bühler kur ky i fundit po përfundonte mandatin si udhëheqës i KFOR-it.

Gjenerali gjerman shtoi se edhe vetë Evropa duhet të bëjë më shumë në rehabilitimin e Ballkanit.

“Jo vetëm për të lehtësuar barrën e amerikanëve”, por “integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të jetë më i shpejtë. Ky nuk është një akt bamirësie, por në interesin tonë të mirëfilltë”.

Gjenerali Erhard Buhler përveç se ishte ish-drejtor gjeneral i Planifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes të Gjermanisë, ai ishte komandat i KFOR-it nga shtatori i vitit 2010 deri në shtator të vitit 2011.

Ai kishte udhëhequr me rreth 5 mijë trupa, dhe gjatë kohës së tij filloi edhe zvogëlimi i numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.

Kurse më herët, në vitin 2004, Buhler kishte udhëhequr kontingjentin e ushtarakëve gjermanë të KFOR-it në Prizren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore