Lajme

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren: “Unë i frikësohem ligjit të Zotit e jo të njerëzve”


“Unë nuk i iki drejtësisë. Nuk i kam ikë as kur Serbia më ka dënu me 14 vite burg”, ka thënë për Albanian Post, Islam Thaqi, ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, pas vendimit të Gjykatës së këtij qyteti për dënim me tre vjet burgim për shkak se keqpërdori pozitën zyrtare, në rastin “Abi Çarshia”.

“Unë i frikësohem ligjit të Zotit e jo të njerëzve”, ka vazhduar më tej ai.

Me 3 vjet burg dhe dy mijë euro gjobë, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar ish-drejtorin e Inspektoratit, Islam Thaqin dhe deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi, që në atë kohë ishte udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit të aneksit të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019.

“Është rast ‘sui generis’, të dënohet inspektorati pse ka vepruar e jo pse nuk ka vepruar”, vlerëson Thaqi vendimin e Gjykatës.

“Realisht është rasti i parë në komunë të Prizrenit që Drejtori i Inspektoratit të gjykohet për veprim e jo për mosveprim”, ka deklaruar Thaqi në një intervistë telefonike për Albanian Post.

“Ju keni dhjetëra, mos të them qindra raste nga paslufta që shumë inspektor janë dënuar për mos veprim. Ju keni një kaos total urban në komunë të Prizrenit të krijuar ndër vite për mos veprim”, vazhdon më tej Thaqi.

“Vendimi për mua nuk ka qenë i befasishëm, ngase i kam përcjellë zhvillimet përbrenda gjykatës, e veçanërisht me trupin gjykues”, thotë Thaqi.

“Ka pas presione shumë të mëdha, është pak çuditshëm, pak në aspektin juridik sepse zotëri Haskuka i ka bërë edhe katër padi të tjera dhe të gjitha ato janë hedhë nga Gjykata të ndryshme në Republikën e Kosovës”, tregon Thaqi.

Thaqi ankohet se vendimi ishte i njëanshëm pasi që prokuroria nuk lejoi të dëgjohen dëshmitarë të palës mbrojtëse.

“Gjykata na ka mohu të drejtën e dëshmitarëve mbrojtës, na i ka refuzu të gjithë dëshmitarët të cilët kanë qenë zyrtar, është bazuar vetëm në provat që i ka sjellë prokuroria. Të gjitha provat tjera janë refuzuar”, shpjegon ai.

Thaqi thotë se nuk do t’i ikë drejtësisë, por do të vazhdoj të ankohet në shkallët tjera të Gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore