Lajme

Ish-deputeti i Agimit të Artë do të ekstradohet nga Belgjika në Greqi


Anëtari i ekstremit të djathtë grek në Parlamentin Evropian, Ioannis Lagos, i arrestuar muajin e kaluar në Belgjikë, mund të ekstradohet në Greqi për të vuajtur dënim e tij me 13 vite burg.

Lajmi u bë i ditur nga zyra për shtyp e Prokurorisë në Belgjikë.

“Ioannis Lagos ka kohë deri të hënën për të apeluar vendimin e gjykatës së Brukselit”, tha ajo në deklaratën për mediat.

Lagos ka jetuar në Bruksel pasi që një gjykatë greke në tetor e dënoi atë dhe 17 ish-ligjvënës të tjerë grekë nga partia e ekstremit të djathtë Agimi i Artë për udhëheqjen e një organizate kriminale, ose anëtarësimin në të.

Lagos u mor në paraburgim muajin e kaluar pasi Parlamenti Evropian, votoi për heqjen e imunitetit të tij, duke hapur rrugën që ai të dërgohej në Athinë me një urdhër arresti evropian.

Deputeti grek kishte ndërmarrë më parë një nismë provokimi duke grisur flamurin turk.

Rënia e Agimit të Artë

Partia e Agimit të Artë u themelua si një grup i frymëzuar nga nazistët në vitet 1980. Ajo pa një rritje të popullaritetit gjatë krizës financiare në Greqi në vitet 2010-2018, duke fituar përfaqësimin parlamentar midis 2012-ës dhe 2019-ës.

Gjyqi pesë-vjeçar në Athinë nisi pas vrasjes së reperit dhe aktivistit të krahut të majtë në vitin 2013 Pavlos Fyssas, i cili u vra me thikë për vdekje nga një mbështetës i Agimit të Artë.

Rënia e Partisë u ndez nga vrasja e një reperit antifashist.

Lagos ishte komandanti lokal i rrethit të Agimit të Artë në zonën më të gjerë të Pireut ku u vra Fyssas.

“Asgjë nuk do të ishte bërë pa miratimin nga Lagos, nuk ka asnjë shans”,  tha nëna e viktimës gjatë gjykimit.

Bazuar në të dhënat e bisedave telefonike midis anëtarëve të Agimit të Artë natën kur u vra Fyssas, prokurorët gjithashtu argumentuan se sulmi ishte kryer me dijeninë e kuadrove të lartë të partisë.

Ata thanë se ishte pjesë e një modeli më të gjerë të dhunës të organizuar nga partia kundër migrantëve dhe kundërshtarëve politikë.

Krime të tjera të kryera në zonën e mbikëqyrur nga Lagos, përfshinin sulme ndaj peshkatarëve egjiptianë dhe unionistëve komunistë përkatësisht në 2012 dhe 2013.

Michaloliakos dhe shumica e atyre që shpallen fajtorë janë tashmë pas hekurave, por nënkryetari i Agimit të Artë Christos Pappas aktualisht është në arrati.

Mediat greke kanë raportuar se Pappas mund të fshihej nën maskën e një murgu diku në Ballkan.

Ndikimi i partisë u rrit në 2015, por filloi të tërhiqej ndërsa aktivitetet kriminale të grupit filluan të dilnin në dritë në dëshminë e gjyqit.

Partia nuk arriti të fitonte një vend të vetëm në zgjedhjet e fundit parlamentare në 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore