Lajme

Ish-deputetët shpallen fajtorë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend


ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtorë ish-deputetët Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të cilët janë të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në nëntor të 2015-ës, duke i dënuar me nga një vit burgim me kusht (secilin veç e veç).

Ky aktgjykim ndaj Shalës dhe Kurteshit u shpall të premten e 31 dhjetorit nga gjykatësi Eroll Gashi.

Në bazë të këtij vendimi, dënimin në fjalë, Kurteshi dhe Shala nuk do të mbajnë nëse në afat prej dy vitesh nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata obligoi ata edhe me shpenzimet e procedurës secilin veç e veç në shumë prej 50 euro dhe për kompensimin e viktimave të krimit në shumën prej 30 euro.

Po ashtu, lidhur me veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” është arritur parashkrimi, andaj për këtë është refuzuar aktakuza konform nenit 363, par.1, nenpar.1.3 të Kodit të Procedurës Penale, prandaj u refuzua aktakuza për pikën dy dhe tre.

Ndryshe, ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por më pas lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar të vitit 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala akuzoheshin se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore