Kosova

Isa Boletini dhe Ahmet Delia, një histori nga Drama e Madhe e Nëntorit 1912


Isa Boletini dhe Ahmet Delia

Filozofi Blerim Latifi ka ndarë një histori nga viti 1912 në mes të dy luftëtarëve të shquar Isa Boletinit dhe Ahmet Delisë.

Derisa Boletini është mirë i etabluar në historinë zyrtare të shqiptarëve, Delia është figurë që e ka shtrirjen shumë më të madhe në historinë popullore mes njerëzve se sa në librat e historisë.

Figura e tij e jashtëzakonshme as nuk është studiuar thellë mjaftueshëm dhe as nuk është e shtrirë përkitazi me të bëmat.

Një nga këto histori jo shumë të të dëgjuara e ka sjellur në llogarinë e tij në Facebook, Blerim Latifi.

Kur kishte ardhur momenti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Boletini e Delia ishin nisur bashkë për në Vlorë.

Njëri shkoi, tjetri jo – çfarë ndodhi?

Pasi nuk ia kishte dalë të ndalonte serbët për të marrë Prishtinën, Isa Boletini me një pjesë të luftëtarëve të tij ishte tërhequr në drejtim të Vushtrrisë. Aty e kaluan lumin Sitnica dhe u nisën në drejtim të Prekazit për të kaluar natën në konakun e mikut të tij të vjetër, Ahmet Delisë. Luftëtarët e tjerë u shpërndanë nëpër katund, ndërsa Isa qëndroi me plakun e Prekazit.

Tanë natën e kaluan duke folur për gjamën e madhe që kishte ra n’Kosovë, pushtimin serb.

– Kam marrë habere se n’Shqypni asht t’ue u ba nji kuvend i madh e une duhna me kanë aty, – i tha Isa, Ahmet Delisë. – Po du qe ti me ardh shoq me mue!

Kur zbardhi dita e re të dy burrat u vunë në krye të luftëtarëve dhe nisën udhëtimin e gjatë. Kur kaluan Përroin e Keq dhe u ngjitën në rrafshlartën e Qubrelit, u ndalën për të pushuar. Midis dy burrave nisi një bisedë e vështirë.

– Duhet të kthehemi, Isa Beg! – i tha Ahmet Delia. – Qysh po shkojmë n’ Shqypni e gratë e thmitë po i lamë n’ dur t’shkaut.

– Nuk mujm me qëndru ma shumë ktu ; atje kena me u bashku e kur t’vjen Pranvera kemi me liru tanë Kosovën, – ia ktheu Isa.

Por Ahmet Delia nuk u bind.

– Ty udha e mbarë e unë po kthehna; nuk m’bajnë kambët me shku manej! – ishin fjalët e fundit të tij para se të ndahej nga Isa Boletini. 

Në fillim të dhjetorit Isa Boletini u shfaq në Vlorë, ku tanimë ishte shpallur Pavarësia e Shqipërisë, ndërsa pak ditë më vonë Ahmet Delia u vra në një betejë epike me një njësi paramilitare serbe, e cila e kishte sulmuar Prekazin për ta plaçkitur e dhunuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore