Lajme

Irlandë e Veriut/ Historianët, thirrje pas një shekulli për hapjen e dosjeve sekrete


Arkivat sekrete, të cilat lidhen me disa nga ngjarjet më të diskutueshme prej fillesës së Irlandës së Veriut, mund të hapen pas presionit të historianëve, në kuadër të njëqindvjetorit të saj.

Tek këto arkiva përfshihen informacione, të cilat i përkasin Policisë Speciale të Ulsterit (USC).

Një forcë policore rezervë, pothuajse ushtarake dhe protestante e njohur si “Speciale B”, dhe skedarë që hedhin dritë mbi përfshirjen e tyre në mizoritë kundër popullsisë katolike.

Hapja e dosjeve

Kërkesa për hapjen e këtyre dosjeve dhe të tjerave, të ndaluara për shkak të sigurisë dhe shqetësimeve të tjera, ka ardhur nga Paneli Këshillimor Historik i Njëqindvjetorit.

Kjo vjen në një kohë, kur tensionet mes historianëve dhe qeverive të Mbretërisë së Bashkuar janë rritur.

Sekretari i Irlandës së Veriut, Brandon Lewis, ka thënë se dhuna në rrugë, e shfaqur në javët e fundit, po minon festimet unioniste të njëqindvjeçarit të Irlandës së Veriut.

Polemikat kanë qenë të shumta, me Sinn Féin dhe SDLP, që kanë bojkotuar një panel të veçantë, që koordinon përkujtimet dhe bllokon ngritjen në Stormont të një guri në formën e Irlandës së Veriut.

Një panel relativisht i larmishëm i historianëve, i kryesuar nga kolegët ndërkombëtarë dhe historiani Paul Bew, ka identifikuar zhbllokimin e arkivave zyrtarë si një përparësi.

“Një sasi e madhe e materialit është tashmë atje, por ne e dimë se ka dosje në lidhje me lindjen e Irlandës së Veriut, të cilat janë mjaft të diskutueshme dhe janë mbyllur për 100 vjet”, tha një anëtar i panelit, Caoimhe Nic Dháibhéid.

“Në disa raste, ato kanë të bëjnë me ngjarje, të cilat kanë bërë jehonë përgjatë viteve. Mund të jetë e kuptueshme që ka implikime të sigurisë, të cilat do të kishin parandaluar hapjen e tyre pas kufirit normal 30-vjeçar, por pas 100 vjetësh ekziston një ndjenjë se ka ardhur vërtet çasti për t’i hapur ato”.

Dosjet mund të hedhin një dritë të re, mbi trajtimin e pakicës katolike të Irlandës së Veriut dhe incidenteve, si vrasjet e gjashtë civilëve katolikë, pesë anëtarëve të familjes McMahon dhe një banori në 1922-in.

Askush nuk u vu para drejtësisë për masakrën. Për atë u fajësuan oficerët e policisë të udhëhequr nga një njeri, i cili u bë këshilltar i ish-udhëheqësit të DUP-it dhe ministrit të parë të Irlandës së Veriut, Ian Paisley.

Ata besojnë se ekziston një material i padokumentuar, për të cilin janë të shqetësuar se ai mund të humbasë në Zyrën e Regjistrimit Publik të Irlandës së Veriut (PRONI), ndërsa arkivistët tërhiqen.

Kontrolli i arkivave teknikisht i është transferuar administratës së Irlandës së Veriut, për ndarjen e energjisë në Stormont, por paneli kuptohet që i ka bërë të qarta pikëpamjet e tij në diskutimet me Lewis.

“E kuptoj që Lewis nuk është historian. Përparësia e tij është e ardhmja dhe prosperiteti. Për  meritë të tij, mendoj se ai është i vetëdijshëm që është një grup shumë i ndjeshëm kujtimesh. Mendoj se ai pendohet, për shembull, që fjala ‘festim’ u përdor në një moment”, tha një anëtar.

Nisma të tjera, të cilat mbikëqyren nga anëtarët e panelit, përfshijnë një faqe në internet, ku botohen materiale, një libër me kapituj nga historianë dhe figura publike.

Gjithashtu, aty është paraqitur një ekspozitë mbi historinë e Irlandës së Veriut, e cila do të vihet në skenë në Belfast dhe në Sallën e Madhe të Westminsterit.

Ai, gjithashtu, mund të udhëtojë nëpër Irlandën e Veriut dhe të shkojë në Dublin.

Planet e ndara për përkujtimet, në të cilat qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shpenzon 3 milionë, përfshijnë një vulë postare të veçantë, një “trëndafil njëqindvjeçar” të prodhuar në Irlandën e Veriut për Mbretëreshën, së bashku me fondet për projektet e komunitetit.

Ndërkohë Lord Bew për “The Guardian” tha: “Pikëpamja jonë në panel është se do të ishte krejtësisht e gabuar të provohen aspektet e themelit të shtetit që janë kaq të mundimshme, veçanërisht për klasën punëtore katolike në Belfast”.

“Pamja e gjerë e historianëve të përfshirë ndryshon mjaft, por ne të gjithë në thelb jemi të përkushtuar që të përpiqemi ta tregojmë këtë histori në një mënyrë jo të përlyer dhe jo për të përkeqësuar njerëzit”.

Duke kërkuar në arkiva për dekada, Bew besoi se kishte ende “disa probleme të veçanta” në lidhje me lëshimin e disa dokumenteve.

Përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore