Shqipëria

Iranianët publikojnë të dhënat e Gledis Nanos


Hacker-ët iranianë, të njohur si grupimi “Homeland Justice”, kanë publikuar të dhënat e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një dokument voluminoz me 47 faqe, ku janë të përshkruara të dhënat e tija personale, si edhe hyrje-daljet e ish-zyrtarit të lartë të Policisë nga vendi.

Dokumenti i nxjerrë online nga grupi i hacker-ëve, pasqyron fillimisht të dhënat personale të Nanos, si vendlindja, statusi civil apo edhe numri i identifikimit, së bashku me disa foto ndër vite, të cilat duken se janë kryer nga Nano për efekt dokumenti.

Pasaporta biometrike e tij është gjithashtu pjesë e dokumentit, me të dhënat e nxjerra.

Po ashtu, një mesazh është dhënë nga vetë grupimi, sa i përket arsyeve se pse është nxjerrë ky dokument.

“Kreu i terroristëve të Durrësit shpalli luftën e armatosur më 13 shtator 2022. Lëshimi i kësaj deklarate është koordinuar patjetër nga ju zyrtarë të korruptuar. Nëse kujdeseni për jetën e njerëzve tuaj, pse e çoni vendin në luftë dhe kaos? Një sy për një sy dhe një dhëmb për një dhëmb”.

Kështu shkruajnë ata në faqen e tyre të rrjetit Telegram.

Pjesë e këtij publikimi, janë bërë edhe familjarë të ish-numrit një të Policisë, pasi hyrje-daljet e tyre nga vendi po ashtu janë publikuar, së bashku me të dhënat identifikuese.

Më parë, grupimi ka nxjerrë në dritë disa dokumente zyrtare, ku përfshihen korrespondenca mes ministrive, ambasadave, apo edhe email-e të kryeministrit me qytetarë.

Të gjithë këto të dhëna në vetvete nuk janë të qenësishme, pasi nuk kanë ndjeshmëri të lartë dhe nuk përbëjnë sekret shtetëror ose informacion të rëndësisë së lartë.

Grupimi “Homeland Justice” ka marrë përsipër sulmin kibernetik të 15 korrikut në Shqipëri, i cili synoi sistemin qeveritar, si edhe sulmin ndaj sistemit TIMS në fillim të shtatorit.

Sipas një deklarate të kryeministrit, Edi Rama, agresioni është ndërmarrë me urdhër të drejtpërdrejtë nga Teherani dhe ky detaj, ka rezultuar në prishjen unilaterale të raporteve diplomatike mes vendeve, me vendim të Qeverisë shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore