Lajme

Irani përfshihet nga një valë e re protestash


Protestat e shkaktuara nga rritja e çmimeve të ushqimeve në Iran u përhapën në disa rajone dhe qytete të enjten në mbrëmje.

Kjo, ndërsa njerëzit brohorisnin slogane antiqeveritare dhe ndezën zjarre.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase.

Protestat nisën fillimisht në provincën jugperëndimore të pasur me naftë Khuzestan.

Shkak u bë ndalimi i një subvencioni të rëndësishëm të importit nga autoritetet iraniane, duke rritur në mënyrë efektive çmimet e bukës dhe ushqimeve të tjera.

Por të enjten, trazirat u përhapën në pjesën më të madhe të Iranit perëndimor.

Raportimet e para dhe disa video tregojnë se oficerët përdorën forcën në disa raste kundër protestuesve paqësorë që marshonin në rrugë.

Në disa raste në videot e shpërndara nga qytetarët dëgjohet zhurma e gazit lotsjellës dhe armëve.

Protestuesit në Shahre-Kord bërtitën parulla kundër presidentit iranian Ebrahim Raisi dhe shprehën solidaritet me popullin e Khuzestan-it.

Ekspertët në Iran parashikuan trazira pasi çmimet u rritën papritur.

Disa kanë thënë se nëse nisin protestat mbarëkombëtare, ato do të jenë shumë më intensive se në nëntor të vitit 2019.

Kohë kur forcat e sigurisë u urdhëruan të qëllonin mbi protestuesit duke vrarë të paktën 1 mijë e 500 njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore