Lajme

Irani miraton vaksinën ruse


Shteti i Iranit ka aprovuar vaksinën ruse, Sputnik V.

Sipas ministrit të Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, vendi po planifikon ta importojë dhe prodhojë atë.

Irani është vendi më i goditur nga COVID-19 në Lindjen e Mesme. Ai ka regjistruar mbi 1.38 milionë raste dhe 57 mijë e 576 vdekje që nga fillimi i pandemisë.

“Vaksina Sputnik V, u regjistrua dje dhe u miratua nga autoritetet tona shëndetësore”, tha Zarif në një takim në Moskë, me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

“Në të ardhmen e afërt, ne shpresojmë që të jemi në gjendje ta blejmë atë, si dhe të fillojmë prodhimin e përbashkët”, shtoi ai.

Teherani ishte shprehur më herët se do të presë miratimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)  për miratimin e vaksinës ruse përpara se ta blejë atë.

Ministri u shpreh se do të mbështetet vetëm në vaksinat e bëra nga Rusia, India ose Kina.

Në fillim të këtij muaji, Ajatollah Ali Khamenei, ndaloi qeverinë të importonte vaksina nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Mbretëria e Bashkuar (MB).

Ai është shprehur se këto vende po kërkonin të përhapnin infeksionin në shtetet e tjera.

Twitter ka fshirë një postim nga llogaria e Ayatollah Khamenei-t, që pretendonte se vaksinat nga SHBA-ja dhe MB-ja ishin “plotësisht të pabesueshme”.

Rusia javën e kaluar bëri kërkesë për regjistrimin e Sputnik V në Bashkimin Evropian (BE), ndërsa Hungaria anëtare e BE-së bleu 2 milionë doza të vaksinës, përpara se blloku ta kishte miratuar atë.

Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë iraniane i bëri thirrje presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, të heqë sanksionet që sipas  tij po vështirësonin luftën e Teheranit kundër pandemisë COVID-19.

Gjithësesi, sanksionet e vendosura nga ish presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas tërheqies së SHBA-ës nga marrëveshja nukleare, përjashtojnë zyrtarisht ushqimin, ilaçet dhe furnizimet e tjera humanitare./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore