Lajme

Iran/ Policia qëllon protestuesit që përkujtonin Mahsa Aminin 40 ditë pas vdekjes


Oficerët e zbatimit të ligjit hapën zjarr dhe përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që ishin mbledhur në Saqqez, Kurdistani iranian, për të përkujtuar Mahsa Amini-n 40 ditë pas vdekjes së saj.

Ka më se një muaj që vrasja e saj ka çuar në protesta masive në të gjithë vendin.

Agjencia iraniane “Isna” raportoi për përleshjet vetëm pasi lajmet e para u shfaqën në rrjetet sociale.

Në mëngjes një turmë e madhe ishte mbledhur në varrezat ku është varrosur vajza për ta përkujtuar. Isna foli për “rreth 10 mijë njerëz”.

Thuhet se dhjetëra persona janë arrestuar.

Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, mbi një mijë demonstrues deri më tani janë paditur në Iran në lidhje me protestat.

Turma u mblodh sot te varri i Mahsa Amini-t, në ditën e 40-të të vdekjes së saj, e cila tradicionalisht festohet në Iran si fundi i zisë.

“Poshtë diktatori”, “Kurdistan, varri i fashistëve”, “gratë, jetë, liri” dhe “ne të gjithë jemi Mahsa, ju luftuat dhe do të luftojmë edhe ne”, ishin disa nga parullat që thirreshin nga demonstruesit të cilët shkuan në këmbë te varri, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e rrugëve që të çojnë në varreza për të shmangur protestat.

Nuk është e qartë nëse familjarët e Mashës ishin gjithashtu të pranishëm në demonstratën në varreza.

Sipas agjencisë së lajmeve “Irna”, familja ka vendosur të mos organizojë ceremoni në kujtim të viktimës, por një burim i afërt me të afërmit e Mahsa e ka mohuar “BBC-në” një deklaratë të tillë.

Aktivistët iranianë raportojnë gjithashtu se autoritetet e Teheranit kërcënuan vëllain e Mahsa-s nëse do të mbahej një ceremoni përkujtimore.

Por sipas grupit të aktivistëve të opozitës protesta për Mahsa u zhvilluan sot edhe në Pazarin e Madh në Teheran dhe në universitetet e Teheranit, Mashhadit në veri-lindje dhe Ahvazit në jug-perëndim.

“Irani Human Rights”, një OJQ për të drejtat e njeriut me bazë në Norvegji, denoncoi se të paktën 234 protestues, duke përfshirë 29 fëmijë, janë vrarë nga forcat e sigurisë që nga fillimi i protestave.

Ndërkohë, Qeveria iraniane ka ndërprerë internetin në qytetin e lindjes Mahsa Amini për ‘arsye sigurie’.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore