Lajme

Iraku do të ulë prodhimin e naftës për të kompensuar kuotën e vitit të kaluar


Iraku planifikon të shkurtojë prodhimin e naftës në janar dhe shkurt. Ky vendim lidhet me kompensimin për thyerjen e kuotës së caktuar nga OPEC + vitin e kaluar.

Prodhuesi i dytë më i madh i OPEC-ut do të prodhojë 3.6 milionë fuçi çdo ditë për dy muaj. Ky do të ishte niveli më i ulët që nga fillimi i vitit 2015.

Eksportet, përfshirë ato nga rajoni i Kurdistanit, do të jenë pak më shumë se 3 milionë fuçi në ditë. Shifra për muajin e kaluar ishte pothuajse 3.3 milionë.

Për të përmbushur këto objektiva, Iraku do të varet nga Qeveria Rajonale e Kurdistanit. Kurdistani pritet të zvogëlojë prodhimin e naftës.

OPEC + ra dakord në prill për të ulur prodhimin dhe për të forcuar çmimet e naftës, të cilat ishin goditur nga pandemia. Arabia Saudite më vonë kritikoi Irakun dhe anëtarët e tjerë, duke përfshirë Nigerinë për nivelet e prodhimit dhe u bëri thirrje që të ulin prodhimin.

Iraku është ende i angazhuar në marrëveshjen OPEC+, e cila zgjat deri në vitin e ardhshëm.

Vendimi i Irakut për të prodhuar më pak naftë ndjek një veprim të ngjashëm nga Arabia Saudite në fillim të këtij muaji. Arabia Saudite njoftoi se do të ulte prodhimin në shkurt dhe mars me një milion fuçi në ditë, një veprim i papritur që bëri që çmimet e naftës të rriteshin.

Iraku tashmë po shet më pak naftë. Eksportet ranë në pak më shumë se tre milionë fuçi çdo ditë në 15 ditët e para të janarit.

Nafta Brent është pothuajse trefishuar në rreth 55 dollarë për fuçi, që kur OPEC + filloi të kufizonte prodhimin. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikoi që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Irakut do të tkurret me 11% në vitin 2020, më shumë se ai i çdo anëtari tjetër të OPEC-ut.

Qeveria e Irakut është në bisedime me FMN-në për gjashtë miliardë dollarë kredi.

Pjesa më e madhe e naftës së Irakut duhet të kalojë përmes ngushticës së Hormuzit. Irani ka sulmuar cisternat që përshkojnë ngushticën, disa herë që nga fillimi i vitit 2019. Forcat iraniane gjithashtu kërcënuan me bllokimin e ngushticës.

Iraku planifikon të eksportojë mesatarisht 1,1 milionë fuçi në ditë. Ngarkesa e parë u dërgua këtë muaj.

Kabineti i Kryeministrit Mustafa Al-Kadhimi ende nuk do të nënshkruajë një marrëveshje furnizimi me miliarda dollarë me Zhenhua Oil Co. Sipas kushteve, Iraku do të furnizojë afërsisht 130 mijë fuçi në ditë deri në pesë vite. Kompania Zhenhua pritet të paguajë për vitin e parë në avancë.

Kontrata e naftës me para-pagesë, e para për Irakun, lidhet me nevojën e qeverisë për para dhe likuiditet./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore